“Të merremi seriozisht me trajtimin dhe parandalimin e përdorimit të narkotikëve nga të rinjtë”

25.07.2016 (komentet: 0)

 
 
 

 

 Përdorimi i narkotikëve nga të rinjtë përbënë një shqetësim për shoqërinë tonë. Rastet e evidentuara duhet të trajtohen seriozisht, ndërsa duhet të punohet në parandalim. Institucionet përgjegjëse, por edhe shoqëria në përgjithësi, të gjitha hallkat e saj, duhet ta marrin sa më seriozisht këtë problematikë me të cilën po sfidohet shoqëria, e në veçanti rinia, nëse duam rini të shëndosh e me këtë edhe shoqëri të shëndosh.

 

Kështu, ndër tjerash u tha përgjatë një tryeze që kishte organizuar Këshilli i Veprimit Rinor Lokal në Gjilan në bashkëpunim me OJQ-në Labyrinth nga Prishtina e Gjilani, në kuadër të projektit “Rini e shëndoshë – Shoqëri e shëndoshë”, projekt i cili është i mbështetur nga projekti “Parandalimi i transmetimit të HIV-it dhe përdorimit të drogave në mesin e popullsisë rezidente në zonën ndërkufitare” të financuar nga Bashkimi Evropian dhe menaxhuar nga zyra e BE-së në Kosovë.

 

Në këtë tryezë diskutimesh u paraqitën rreziqet që këto dukuri sjellin dhe pasojat me të cilat mund të ballafaqohet shoqëria në të ardhmen. U tha se parandalimi dhe mos përdorimi i drogave nga të rinjtë dhe po ashtu parandalimi i transmetimit të HiV-it janë çështje thelbësore të një shoqërie të shëndoshë.

 

Pjesëmarrësit në këtë tryezë debatuan rreth problemeve dhe sfidave që kemi si shoqëri për këtë çështje me qëllim që të nxirren konkluzione lidhur me atë se si ta ruajmë pasurinë e vendit, rininë e Kosovës, respektivisht edhe rininë e Gjilanit. Aty u sugjeruan dhe u dhanë ide të ndryshme që shoqërinë, rininë e vendit ta mbajmë sa më larg dukurive dhe sëmundjeve lehtë të transmetueshme.

 

Jeton Veliu nga Labirinth – Gjilan, ka bërë të ditur për punën që bëhet në këtë qendër, duke shpjeguar se si trajtohen ata që janë të varur nga përdorimi i narkotikëve. Ai ka bërë të ditur se shërbimet janë falas dhe se ruhet anonimiteti dhe konfidencialiteti i të trajtuarve. Por, ai ka kërkuar që të angazhohen të gjithë hallkat që të merren me këtë çështje për të bërë edhe parandalimin pasi ka përmendur se përdorimi i narkotikëve, si në rastin shembull të hashashit, ka ndodhur të bëhet edhe nga 12 vjeçarët. Ai ka kërkuar më shumë të punohet nga prindërit, shkollat por edhe institucionet përkatëse ndërsa ka përmendur bashkëpunimin e mirë që e kanë me organizma tjerë duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin e Qendrës Labirinth me Policinë e Kosovës. Ai tha se ka nevojë për programe afatgjate në trajtimin, por edhe në preventivë për t’u luftuar kjo dukuri negative për rininë e shoqërinë.

 

Fisnik Muji u interesuar për kriteret që ka qendra Labirinth për të pranuar ata që janë të varur nga përdorimi i substancave narkotike, e Selim Daku, debatues tjetër tha se ka nevojë të ketë sa më shumë fushata avokuese, të punohet sidomos nëpër shkolla, të përfshihen të rinjtë në aktivitete volumi i të cilave duhet të rritet. Po ashtu duhet edhe psikologët e ekspertë të tjerë nëpër shkolla që të punohet në edukimin formal mbi këtë çështje.

 

Jeton Limani, nga Policia e Kosovës, shef i njësisë në kuadër të luftimit të narkotikëve, tha se policia e bënë punën e saj duke kapur e arrestuar shkelësit e ligjit në këtë çështje, por tha se ka njësitë që marrin pjesë aktive edhe nëpër debate, me ligjërata, me prezantime të ndryshme nëpër shkolla kundër kësaj dukurie dhe në edukimin e të rinjve. Ai ka kërkuar rol më të madh nga prindërit ngase ajo është hallka kryesore që parandalon të riun të bije pre e përdorimit të narkotikëve.

 

Shkëlqim Limani nga Labirinth ka dhënë statistika që ka siguruar kjo Qendër të luftës së prokurorisë dhe gjykatave kundër shitësve a prodhuesve të narkotikëve. Ai tha edhe se të varurit nga përdorimi i narkotikëve nuk duhet stigmatizuar, por ndihmuar ndërsa duhet të punohet në preventivë ku rol ka familja, shkolla, ku duhet të përfshihen profesionistë por edhe lëndë përkatëse, por edhe institucionet tjera duhet ta luajnë rolin e tyre.

 

Veton Nevzadi ka kërkuar pjesëmarrje dhe koordinim të më shumë faktorëve për trajtim dhe parandalim të kësaj dukurie te të rinjtë dhe është interesuar për programe afatgjate që do trajtojnë këtë çështje. Ismet Azizi ka kërkuar që në shkolla të krijohen ekipe mësimdhënësish që do të trajnoheshin për këtë çështje që ata pastaj të punojnë me nxënës, e edhe Veton Uka tha se shkolla mund ta luaj një rol të madh në parandalim të të riut të bie pre e përdorimit të narkotikëve.

 

Edhe bashkëbisedues të tjerë si Genc Mustafa, Fatlum Agushi, Albim Isufi e të tjerë dhanë kontributin e tyre duke u dakorduar se të gjithë duhet luajtur rolin e tyre në shoqëri për të luftuar këtë të keqe që dëmton rininë e më pas edhe shoqërinë.

 

Përndryshe, organizatori tha se rekomandimet që dolën nga kjo tryezë përveq që do t’ju shërbejnë organizatorit në punën e mëtutjeshme do t’i adresohen edhe institucioneve përkatëse me qëllim që të intensifikohet lufta për parandalimin e përdorimit të narkotikëve nga të rinjtë. /2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment