Shërbyesit civilë i mësojnë gjuhët zyrtare - 30 janar 2014

31.01.2014 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit ka pritur të enjten në një takim përfaqësuesit e Qendrës Evropiane për Çështje Minoritare dhe të Zyrës së Komisionarit për Gjuhët, që vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Nejla Ayvazi respektivisht Safete Grajçevci, me të cilat ka biseduar për mundësinë e vazhdimit të kursit për mësimin e gjuhëve zyrtare nga shërbyesit civilë të Komunës së Gjilanit. Ayvazi e Grajçevci kanë kërkuar vazhdimin e këtij projekti në Gjilan edhe për këtë vit.

“Vitin e kaluar projekti ka qenë për katër muaj, ndërsa këtë vit do të jetë gjashtë muaj. Ato kanë informuar kryetarin se kursi parashihet të mbahet dy herë brenda javës gjatë orarit të punës. Në fund të kursit zyrtarët do të pajisen edhe me certifikatë të arritshmërisë”, kanë thënë ato ndër të tjerash. 

Ndërsa kryetari Lutfi Haziri i ka mirëpritur përfaqësuesit e këtyre institucioneve, duke i informuar se një kurs për gjuhën turke dhe shqipe është duke u zhvilluar, porse ka shumë nevojë që zyrtarëve t’u ofrohet mundësia për të mësuar edhe gjuhën serbe dhe shqipe. 

“Gjuhët zyrtare duhet të mësohen nga shërbyesit civilë, sepse shërbimet nuk mund të kryhen shpejt dhe si duhet nëse nuk njihen gjuhët zyrtare. Është duke u mbajtur kursi turqisht – shqip, do të jetë veprim shumë i mirë tash kursi serbisht – shqip. Ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe bashkë do të bëjmë punë të mira për qytetarët tanë”, ka potencuar kryetari Haziri. 

Ndryshe, ky projekt mbështetet financiarisht nga Komisioni i Lartë për Pakicat Kombëtare OSBE dhe Zyra e Kryeministrit.

Kthehu mbrapa

Shto koment