Ramadani: Për nëntë muaj, mbi 2.5 milionë euro kemi investuar në bujqësi

22.10.2015 (komentet: 0)

Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari, Ramiz Ramadani, në një konferencë për media të mbajtur sot, ka prezantuar punën dhe investimet që janë bërë për vitin 2015. Me këtë rast drejtori Ramadani ka bërë të ditur se përfituesit e drejtëpërdrejtë në subvencione, grante, mekanizim bujqësor, mbështetje me farë gruri, misri, pleh artificial, mbështetje tjetër në blegtori etj, janë rreth 3500 fermerë të ndryshëm dhe me një vlerë totale mbi 2.5 milionë euro. 

Ai tha se vetëm në këshilla profesionale dhe trajnime janë përfshirë për nëntë muaj 900 fermerë që ndikon në punën më të mirë dhe më kualitative. 

“Nga Drejtoria e Bujqësisë janë ofruar shërbime, këshilla dhe trajnime për mbi 900 fermerë, që paraqet një angazhim maksimal të stafit tonë. Kjo normalisht që ndikon edhe në përmirësimin e mënyrës së punës, kujdesit ndaj prodhimeve bujqësore, por edhe ndikimit në rendimente më të mëdha”, tha ai, duke potencuar se kështu do të vazhdohet edhe më tutje sepse ka nevojë dhe është e domosdoshme. 

Kurse, siç ka njoftuar Ramadani, përfitues nga subvencionet dhe grandet e Ministrisë së Bujqësisë është një numër i konsiderueshëm i fermerëve gjilanas, e që vlera e përgjithshme kap shumë mbi 1.7 milionë euro. 

“Nga subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë këtë vit janë përfitues një numër i konsiderueshëm i fermërëve, që ka ndikuar edhe në rritjen e sipërfaqeve të mbjella me drithëra dhe shtimin e krerëve të lopëve qumështore dhe shoqërive të bletëve”, potencoi ai. 

“Këtë vit kemi 914 aplikues për subvencione, që ka rritje të numrit të tyre për 127 fermerë dhe nëse përkthehet në sipërfaqe të mbjella, del se kemi rritje të sipërfaqeve të mbjella me grurë për 720 ha, pastaj te kultura e misrit një rritje prej 108 ha, rritje të numrit të lopëve qumështore për 400 krerë, rritje të shoqërive të bletëve për 795 dhe rritje të tjera të rëndësishme. Vetëm në skemën e subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë, fermerët e Komunës së Gjilanit, kanë përfituar mbi 700 mijë euro, sikur edhe tek grantet që vlera është mbi një milionë euro”, ka shtuar Ramadani. 

Më tej drejtori i Bujqësisë ka thënë se ky resor kishte edhe një bashkëpunim shumë të mirë me donatorët dhe vlera e përgjithshme e investimeve nga kjo kategori kap shumën mbi 90 mijë euro.

“Nga donatorët në Gjilan kemi përfitues të 17 fermerë, të cilët kanë përfituar serra prej 500 metra katrorë, me sistem të ujitjes dhe foli të zezë, për kultivimin e sallatës, pastaj kultivues për bimë mjekësore dhe aromatike, me sipërfaqe prej 0.30 – 0.70, ha, por edhe dy përfitues të tharëseve për bimë mjekësore, aromatike, kërpudhave dhe frutave të pakultivuara malore. Që kur mblidhet kjo mbështetje në vlerë financiare del mbi 90 mijë euro”, tha Ramadani, duke i falënderuar të gjithë donatorët dhe partnerët e Komunës së Gjilanit. 

Poashtu në bashkëpunim me “Tika”-n turke është implementuar projekti për furnizimin e 155 bletarëve me pajisje të ndryshme për bletarinë, ka njoftuar ai, duke potencuar edhe përfshirjen shtesë edhe të 40 lavërtarëve të cilët kanë përfituar shpërndarës plehu, e që vlera totale e mbështetjes nga ky projekt ishte 25 mijë euro. 

Ndërsa nga buxheti i Komunës së Gjilanit, poashtu është vazhduar me mbështetje dhe kështu është bërë shpërndarja e 15 atomizerëve për spërkatjen e pemëve, në vlerë prej mbi 16 mijë euro. 

Mbështetja ka vazhduar edhe më tutje. Drejtori Ramadani, ka njoftuar se me farë të misrit janë mbështetur 583 fermerë në një vlerë prej 33 mijë euro. 

Ai gjithashtu ka informuar se në projektin e rrugëve të arave, që nënkupton rregullimin me zhavor të tyre janë investuar këtë vit 105 mijë euro. 

“Projekti i rregullimit të rrugëve të arave është shumë i mirëseardhur nga fermerët e Gjilanit. Në këtë projekt, në fshatin Zhegër, Nasal, Lladovë, Cërrnicë dhe Përlepnicë janë shtruar 20 km rrugë me zhavor. Por jemi duke vazhduar me punime edhe në fshatrat Gumnishtë, Kravaricë dhe Livoç i Epërm dhe vlera e këtij projekti arrinë 105 mijë euro”, ka thënë ai. 

“Në tremujorin e fundit kishim valën e dytë të projekteve për këtë vit, ku kemi shpërndarë llaktofrizë me kapacitet 350 litra për dhjetë fermerë, projekt i cili është realizuar në bashkëpunim dhe bashkfinancim me qumështoren “Kabi” dhe vlera e këtij projekti është 20 mijë euro”, njoftoi drejtori. 

I pari i Drejtorisë së Bujqësisë ka dhënë edhe një njoftim për të gjithë fermerët të cilët janë aplikues për farë gruri se edhe shpërndarja e tij do të bëhet gjatë fundit të kësaj jave, apo më së largu gjatë javës së ardhshme. 

“Jemi në pritje të nënshkrimit të kontratës, ngase tashmë janë zhvilluar të gjitha procedurat e prokurimit. Vlera e këtij projekti është 50 mijë euro. Ndërsa, numri i aplikuesve për furnizim me farë gruri është 857, por ata të cilët kanë marrë mbështetje nga Ministria e Bujqësisë për mbjelljet vjeshtore do të hiqen nga kjo listë. Këtë vit do të shpërndahen 140 mijë kg me farë gruri”, ka thënë ai, duke informuar se shpërndarja do të bëhet në një kohë shumë të shpejtë. 

Edhe sa i përket mekanizmit bujqësor përfitues, sipas Ramadanit, janë 30 fermerë me spërkatëse për kultura lavërtare, 10 rotofreza, 10 kositëse rotative dhe 10 grumbulluese të barit, që në vlerë financiare është mbi 52 mijë euro. 

Ramadani poashtu ka njoftuar se si Drejtori janë duke pranuar aplikacionet për serra komerciale me konstruksione metalike.

“Në këtë projekt janë paraparë 10 serra me 300 metra katror dhe 10 të tjera me 150 metra katror”, ka thënë ai.

Ndërsa në sektorin e pylltarisë, poashtu është duke u punuar me intensitet të lartë, duke minimalizuar prerjet ilegale të pyjeve dhe pyllëzimin e zonave të reja. 

“Prerjet ilegale kanë shënuar rënie të madhe në krahasim me vitin paraprak. Në bashkëpunim edhe me Agjensionin Pyjor të Kosovës, kemi publikuar tenderin për prerjen e masës drusore me një vëllim prej 3078 metër kub. Gjithashtu me entin për punësim është punuar në pyllëzimin e 16 ha të sipërfaqeve të zhveshura në fshatin Zhegër”, u shpreh drejtori Ramiz Ramadani.

Krejt në fund, drejtori I Drejtorisësë Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka informuar se brenda pak ditësh do të kemi edhe festën tradicionale të falënderimeve të njofur si “Darka e Lamës”. /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment