Prerja e Kabllove të Transmetimit Vonon Debatin në Gjilan (TV)

17.10.2013 (komentet: 0)

Debati për Gjilanin ku do shpalosnin premtimet e tyre tetë kandidatët për kryetar të kësaj komune, të mërkurën, u karakterizua me disa probleme. Fillimisht derisa pritej të transmetohej emisioni “Jeta në Komunë”, u prenë kabllot kryesore të cilat bënin transmetimin e këtij emisioni. Si pasojë e kësaj, debati filloi me 30 minuta vonesë. Edhe kryetari aktual Qemajl Mustafa u vonua, edhe pse e dinte se duhej të paraqitej në debat në orën 19 e 30. Vonesën e Mustafës e arsyetoi zëdhënësja e tij Arzie Nuriu duke thënë se ka qenë në një tubim tjetër.


Të mërkurën mbrëma, derisa po zhvillohej debati i Jetës në Komunë për qytetin e Gjilanit, simpatizantët e PDK-së çdo herë e më shumë po mblidheshin para Teatrit Kombëtar në Gjilan duke mbajtur në duar parulla, flamuj dhe duke brohoritur emrin e kandidatit Qemajl  Mustafa.  

Brenda teatrit, kryetari dhe kandidati për kryetar të Gjilanit nga radhët e PDK-së ankohej se publiku në sallë nuk e paraqiste disponimin votues të gjilanasve, pasi sipas tij ishin vetëm njëzetë simpatizantë të PDK-së dhe të tjerët u takonin subjekteve tjera.  Edhe në Gjilan publiku ishte i zhurmshëm.

Debati në Gjilan u vonua për 30 minuta, pasi u prenë kabllot kryesore që mundësojnë transmetimin. U vonua edhe vetë Mustafa, pasi sipas zëdhënëses së tij Arzie Nuriu, në kohën kur duhej të paraqitej në debat, ishte në një tubim tjetër. 

Premtimet e kandidatëve

Në dy minutat  e para kandidatët për komunën e Gjilanit shpalosën programin e tyre. Premtimet e tyre kishin të bënin me ndryshimin e gjendjes në shëndetësi, infrastrukturë, arsim, buxhet të komunës etj. 

Kandidati Faton Bislimi nga Koalicioni për Gjilanin, i cili një ditë para fushatës kishte ardhur nga Kanadaja ku dhe jeton me familjen e tij, tha se beson në një shkollë ndryshe të qeverisjes në Gjilan.

“ Unë besoj në një shkollë ndryshe të qeverisjes, e jo në një shkollë që e vendos pushtetarin mbi qytetarin, e cila e vendos shokun mbi shoqërinë dhe e cila vendos partinë mbi parimin”, tha Bislimi. 

Ndërsa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismalj Kurteshi, i cili kohë më parë kishte qenë anëtar i PDK-së, gjatë programit të tij kritikoi qeverisjen aktuale në krye me Qemajl Mustafën.

“ Parimet tona janë sundimi i ligjit, transparenca, efikasiteti, barazia, gjithpërfshirja në vendimmarrje, menaxhimi i ndershëm dhe profesional i buxhetit. Fjalën ndershmëri e kemi përherë në rend të parë, sepse ata që e kanë nda moralin prej politikës po përfundojnë në krim, keqpërdorim, korrupsion “, tha Kurteshi.

Në mesin e tetë kandidatëve ishte edhe kandidatja nga Partia e Drejtësisë, Labinota Demi- Murtezi,  e vetmja femër në garën për Gjilanin.  

“Qytetin e Gjilanit e ka copëtuar decentralizimi, e ka shkatërruar privatizimi dhe e ka njollosur mjaft krimi i organizuar dhe korrupsioni. Gjitha këto do të tejkalohen me programin e Partisë së Drejtësisë”, tha Demi- Murtezi.

E ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri nga LDK-ja,  i cili është rikandiduar sërish në garën për të parin e  komunës, tha se prioritet i tyre është edhe çështja e buxhetit.

“  Obligimi ynë i radhës mbetet disiplina buxhetore e detyrueshme në Gjilan, duke konstatuar borxhet e mëdha që janë shkaktuar nga mosdisiplina, futja e borxheve në mënyrë jolegjitime dhe nga shkaktimi i borxheve. Aktualisht kjo komunë sipas raporteve të pavarura, quhet komuna kampion në borxhe, ose sipas Ligjit mbi buxhetin është komunë para falimentimit”, tha Haziri.

Kryetari dhe kandidati  për kryetar të Gjilanit nga PDK-ja, Qemajl Mustafa, projekteve të kundërkandidatëve të tij iu përgjigj me fjalët se ai dhe partia e tij nuk ofrojnë teori, por praktikë dhe realizim.

“ Ne tash vazhdojmë me rritjen e demokracisë, sigurisë, vazhdojmë të funksionalizojmë më tutje administratën, vazhdojmë të investojmë në zhvillim infrastrukturor dhe ekonomik, vazhdojmë të krijojmë marrëdhënie me gjitha komunat e Kosovës, asociacionet, qeverinë në mënyrë që Gjilanin ta bëjmë europian”, tha Mustafa ,ndaj të cilit pat inovacione negative nga turma në sallë.

E bizmeni nga Gjilani, tashmë kandidat nga AAK-LDD-ja, Rexhep Kadriu tha se programi i këtij subjekti është edhe krijimi i një klime të biznesit dhe sjellja e investitorëve të huaj në Kosovë.

 “ Ne do të qeverisim ndryshe, nuk do të qeverisim si qeveritë e kaluara. Në qeverisjen e Lutfi Hazirit 17 për qind ka qenë buxheti  për investime kapitale. Njëjtë edhe në qeverisjen e Qemajl Mustafës kjo kuotë nuk është rritur. Ne do ta rrisim buxhetin deri në 30 për qind për investime kapitale”, tha Kadriu.

Sejdullah Kadriu nga Lëvizja Vatra tha se prioritet i këtij subjekti është zhvillimi kapital në nivel regjional.

“ Këtë do ta bëjmë duke insistuar që Bashkimi Evropian dhe faktorët relevantë ta pranojnë Anamoravën si  regjion i veçantë ku do të përfshiheshin Dardana, Gjilani, Vitia, Bujanovci, Presheva, Kumanova dhe Likova”, tha Kadriu, i cili ka prejardhje nga Bujanovci.

Ndërsa kandidati i pavarur, Ylli Isufi gjatë debatit tha se po befasohet nga premtimet e kandidatëve të tjerë, ndërsa  vetë tha se qytetarëve të komunës së tij u premton një Gjilan vetëm të “gilangjive”.

“  Sa i përket programit tim synoj të shkoj në hartimin e statutit të regjionit që i përfshinë edhe 700 vendbanime të vjedhura nga pushtuesi”, theksoi Isufi.

Replikë mes Mustafës e Kurteshit për punësim të familjarëve


E rrjedha e debatit u ndryshua, kur filluan pyetjet specifike për kandidatët e komunës së Gjilanit. Derisa kryetari aktual Qemajl Mustafa u pyet nëse i është vazhduar kontrata e punës bashkëshortes së tij, e cila punon në kuadër të Drejtorisë së Arsimit, Mustafa e pranoi se kjo është bërë.

“ Po ajo vazhdon me punë, sepse unë kam pritur që gruan time, e cila është intelektuale dhe nuk ka punuar pesë vjet dhe kam pritur nga Ismajl Kurteshi atëherë kur ka qenë drejtor  [i Drejtorisë së Arsimit], me i gjetë mundësi aty ku të punojë gruaja ime dhe ai nuk e ka bërë një gjë të tillë. Kam pritur edhe prej të tjerëve, partisë sime dhe e kam bërë unë.  U mbetem borxh qytetarëve t’ ju them se nuk ka logjikë që një kryetar komune që jep kontribut pesë vjet dhe nuk e angazhon gruan e tij”, tha Mustafa.

Ndërsa Ismajl Kurteshi nga Vetëvendosje tha se sa ka qenë në drejtor  në Drejtorinë e Arsimit, ka krijuar kritere dhe ato i ka respektuar. 

“  Gjatë kohës  sa kam qenë drejtor, të gjitha punësimet janë bërë bazuar ne kritere, procedura dhe ligj dhe gruaja e kandidatit Mustafa nuk i ka plotësuar kushtet atëherë dhe e ka ditur, e as nuk pati konkurruar “, tha Ismajl Kurteshi . 

Kurteshi drejtoi këtë drejtori në vitet 2007-2009. 

E debati nuk u ndal me kaq. Qemajl Mustafa në replikë me Ismajl Kurteshin tha se janë tetë familjarë të tij që janë punësuar në atë kohë.

“ Bashkëshortja ime nuk i ka plotësuar kushtet ,por tetë familjarë të Kurteshit sa ka qenë drejtor, i kanë plotësuar kushtet. Nga punësimi në Ombudperson, punësimi i djemve të tij, e deri te rojtar shkollash e mësues etj”, tha Mustafa.

Por këtë e ka mohuar vetë Ismaj Kurteshi i cili tha se familjarët e tij janë punësuar gjatë viteve: 1996, 1999, 1992 kur ai nuk ka qenë në politikë.

Ndërsa, derisa kandidati i LDK-së Lutfi Haziri u pyet se a ka lidhje me PDK-në dhe SHIK-un ai e mohoi këtë.

“ Lidhja ime me PDK-në dhe partitë e tjera është në kuadër konkurrencës politike, rivalitetit. Jemi parti që kemi fituar katër herë rend dhe do të fitojë prapë. Lidhja ime personale si politikan dhe si veprimtar e autoritet  nuk lidhet me asnjë shërbim, e aq më pak me shërbime fantome”, theksoi Haziri.

Familjarët e kandidatëve tregojnë për ta

Edhe pse kishte humbur betejën në zgjedhjet e 2007-ës për Gjilanin dhe në konkurrencën për ambasador të Kosovës në SHBA, familjarët e Faton Bislimit kanë treguar një anë tjetër të këtij kandidati, duke thënë se ai e ka sfiduar ish-presidentin serb Boris Tadiq, gjersa ky i fundit po merrte pjesë në një ligjëratë në Universitetin e Harvardit.

E për kandidaten e vetëm femër  Labinota Demi- Murtezi, bashkëshorti i saj tregoi se frikësohet nga macet, ndërsa pohoi se ajo ka qenë pjesëmarrëse në Festivalin “Kosovarja Këndon”.

Ndërsa bashkëshortja e Lutfi Hazirit nga LDK-ja tregoi se politika i ka favorizuar shpeshherë. E për dallim nga bashkëshortja e z. Haziri,  bashkëshortja e Qemajl Mustafës ka pohuar se politika ua ka ulur buxhetin jetësor familjes së tyre.

Komuna e Gjilanit ka mbi 90 mijë banorë. Janë gjithsej 9 milion euro të tatimit në pronë që qytetarët i kanë borxh komunës, ndërsa vetë Komuna e Gjilanit u ka 3. 3 milionë borxh operatorëve privatë.

gazetajtk

Kthehu mbrapa

Shto koment