Pozitë e opozitë vlerësojnë punët në infrastrukturë në brezin kufitar

13.08.2014 (komentet: 0)

 

 “Ishim t’paketuem, si në gjendje lufte kur pret naj dëbim prej fshatit, për me u shpërngulë”. Kështu e nisë rrëfimin e jetës së rëndë Pajazit Zahiri nga lagjja e Zahirajve të fshatit Sllubicë të Komunës së Gjilanit.

 

 

Arsyeja që i ka shtyrë banorët ta braktisin fshatin, ka qenë mungesa e një rruge të kalueshme.

 

Sot, kjo rrugë po ndërtohet nga Komuna e Gjilanit, nën udhëheqjen e Lutfi Hazirit. E, Pajaziti menjëherë ka thënë se ka ndërruar mendje.

 

“Rruga që ka fillu prej lagjes së Bishtajve dhe po vazhdon në lagjen e Zahirajve asht nji punë shumë e madhe sepse na banorët e asaj lagje ishim shumë afër shpërnguljes. Ishim të pregaditun për cdo cast ta lëshojmë atë pjesë shkaku i mungesës së rrugës. Me fillimin e kësaj rruge, ne jemi të vendosur që të rrimë këtu dhe besoj që edhe banorët tjerët do të kthehen për të jetu. E falënderoj kryetarin Lutfi Haziri, drejtorin Sokol Haziri dhe të tjerët që po na e rregullojnë rrugën”, thotë Pajaziti.

 

Kur u pyet se a ka pasur vizita më herët, ai e dha këtë përgjigje: “Në këtë fshat ma herët s’kemi pasë kurrë asnjë vizitë”.

 

Në fushatën e fundit elektorale, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri u pat premtuar banorëve të brezit kufitar me Serbinë që do t’ua rregulloj infrastrukturën rrugore në vitin e parë të qeverisjes. Tashmë, kjo u bë realitet.

 

Për t’i parë nga afër punimet e rrugëve të rendit tretë në: Kokajt e Erpërm, Kokajt e Poshtëm, Sllubicë e Epërme, Sllubicë e Poshtme, lagja e Zahirajve, lagjja e Bishtajve, Kacabaç, Pogragjë e Bilinicë, në vendin e ngjarjes ka dalë drejtori i Shërbimeve Publike Sokol Haziri së bashku me Komitetin për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Emergjenca: Isa Agushi – kryesues, Ramadan Ajvazi (LDK), Ilir Tahiri (PDK) dhe Krenare Latifi – Kqiku (VV).

 

Pozitë e opozitë jashtë shprehur të impresionuar me punët e mira që janë bërë në ndërtimin e rrugëve të këtyre fshatrave të brezit kufitar. Drejtori Sokol Haziri tha se ka qenë iniciativë e tij që të dalin së bashku në terren dhe ka falënderuar Komitetin për Shërbime Publike për mbështetjen e madhe.

 

Planifikim dhe strategji e kryetarit Haziri është që zonave kufitare t’i japim përparësi

 

“Sot kam prezantuar programin e punës gjashtëmujore të Drejtorisë për Shërbime Publike në Komitetin përkatës. Për të bërë një praktikë të re, kam kërkuar që të gjithë së bashku të dalim dhe t’i shohim një pjesë të punimeve në terren, në rrugët e rendit të tretë. Planifikim dhe strategji e kryetarit Haziri është që zonave kufitare t’i japim përparësi në kuptim të infrastrukturës dhe ky është hapi i parë. I falënderoj të gjithë anëtarët e Komitetit që më mbështetën dhe erdhën bashkë për këtë vizitë”, tha drejtori Sokol Haziri.

 

“Është ngjallur jeta për këta banorë të cilët kanë vuajtur me shekuj”

 

Nga ana e tij, kryesuesi i Komitetit të Shërbimeve Publike Isa Agushi tha se në këtë zonë janë thyer kodra e gurë dhe u është mundësuar banorëve të jetojnë dinjitetshëm.

 

“Së bashku me anëtarët e Komitetit për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, kemi dalë në vendin e ngjarje për të parë punimet që është duke i kryer Komuna në këto rrugë, që me të vërtetë janë thyer kodra e gurë dhe kanë qenë me një fjalë rrugë që banorët kalonin me kafshë e me qerre, ndërsa sot po kalojnë me vetura. Po shihet që është ngjallur jeta për këta banorë të cilët kanë vuajtur me shekuj”, tha Isa Agushi.

 

“PDK do të mbështes gjithmonë punët e mira të Komunës”

 

Ilir Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës theksoi se në këtë pjesë janë bërë punë të mira nga ana e Komunës dhe gjithmonë do të mbështeten punët e mira edhe në të ardhmen.

 

“Partia Demokratike e Kosovës gjithmonë do t’i mbështes punët e mira dhe e falënderojmë iniciativën e drejtorit Sokol Haziri. Vazhdimisht, edhe si Komitet edhe si PDK do t’i qëndrojmë prapa aty ku e ka mirë”, ka thënë Tahiri.

 

VV: Shihet një punë e mirë në ndërtimin e rrugëve në këtë zonë

 

E impresionuar me atë që ka parë në terren është shprehur të jetë edhe Krenare Latifi – Kqiku nga Lëvizja Vetëvendosje.

 

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje e mbështesim iniciativën e drejtorit të Shërbimeve Publike që së bashku të dalim në terren. Shihet se është bërë një punë e mirë në rregullimin e rrugëve në këtë zonë. Jam e kënaqur me fillimin e punëve dhe gjithçka që është në të mirë të qytetetarëve dhe në interes të qytetarëve ne do ta mbështesim’, është shprehur Latifi – Kqiku.

 

“80 për qind e banorëve të Kokajve ka me u kthye prej qytetit me jetu këtu”

 

Se është ngjallur jeta në këto fshtra, e konfirmuan edhe banorët tjerë të cilët folën në superlativ për punët dhe falënderuar kryetarin Haziri dhe drejtorin Sokol Haziri.

 

“Qysh asht tu shku puna tash që na e ndërtuen rrugën, jam i bindun që 80 e e banorëve të Kokajve ka me u kthye prej qytetit me jetu këtu. Prioriteti i parë ka qenë rruga se pa rrugë s’ki kurgja. Tash prej se asht ndërtue rruga 7-8 shtëpi janë tu u ndërtue dhe ndër të parën që jam kthy këtu jam unë, i kemi edhe disa kusheri të tjerë...N’katund i ke kafshët, ushqimin e siguron vetë, jetojmë shumë ma mirë se n’qytet”, tha Bashkim Dauti nga fshati Kokaj e Epërm.

 

“E kam pas vendos që nëse s’bahet rruga deri n’shtator me u shpërngulë prej këtu. Tash që u ba, jam shumë i kënaqun, e falënderoj kryetarin Haziri dhe të tjerët që na e mundësuen. Tash po marrë frymë lirshëm ka fillu një gjallni dhe nuk mendoj fare të shpërngulem”, ka deklaruar Shabi Halili nga fshati Kokajt e Poshtëm, i cili ka një minifermë prej 10 krerë lopësh, me synime për ta zhvilluar edhe më shumë këtë veprimtari.

 

Tash e tutje, Pajazit Zahiri nga lagjja e Zahirajve të Sllubicës do të vazhdoj me qetësi të funksionoj në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, duke kultivuar mbi 200 krerë dele sa i ka, sikurse edhe banorët e fshatrave të tjerë nga ajo zonë.

Kthehu mbrapa

Shto koment