PDK: Zyrtarët e lartë të koalicionit LDK-AAK po pasurohen nga ndërtimet pa leje

27.10.2015 (komentet: 0)

Gjilani është bërë qendër e biznesit të zi, aty ku po pasurohen zyrtarët e lartë komunal nga ndërtimet pa leje dhe kontratat e kundërligjshme përmes tenderëve të dyshuar me disa nga kompanitë private. Zyrtarët e lartë komunal të qeverisje së Lutfi Hazirit, janë duke keqpërdorur pozitat dhe aktivitetin e tyre politik dhe nuk janë duke zgjedhë rrugë e mjete për të pasuruar dhe shtuar euro milionat në bizneset të cilat i kanë në pronësi të tyre private.

 

 

Koalicioni LDK-AAK po e shëmton plotësisht qytetin e Gjilanit duke lejuar ndërtimet e egra në njërën anë dhe duke e shkatërruar infrastrukturën (rrugët, trotuaret, drunjët dekorativ, rrjetin e ujësjellësit etj.) në anën tjetër, nga mekanizmi i kompanive ndërtuese që janë në pronësi të zyrtarëve më të lartë komunal dhe të cilët po e rrënojnë qytetin tonë vetëm e vetëm që ata të pasurohen sa më shumë dhe sa më shpejtë.

 

Qytetarët e Gjilanit po detyrohen nga rrjeti i “Bosëve” që të furnizohen me material ndërtimi apo me beton nga kompanitë private, të cilat janë në pronësi të zyrtarëve të lartë komunal nga koalicioni LDK-AAK (duke filluar nga nënkryetari i komunës, asambleistët e Kuvendit Komunal dhe nga zyrtarë të tjerë që i përkasin këtyre dy partive politike), në mënyrë që ata të ndërtojnë pa proleme dhe pa leje ndërtimore. Në të kundërtën, ata qytetarë të cilët ndërtojnë dhe që nuk hyjnë në biznes dhe marrëveshje me këto kompani, ku aksionarë apo pronar janë këta zyrtarë, kanë kushtëzime dhe pengesa prej më të ndryshmeve, derisa të gjunjëzohen para këtyre “bosëve” politik.

 

Ka dy vite që urbanizmi dhe inspeksioni i ndërtimit në Gjilan funksionojnë vetëm si një agjension ndërmjetësimi i cili luan rolin e agjentit tregtarë, në mes investitorëve dhe disa kompanive. Në rastet kur nuk ka arrihet marrëveshja në mes tyre, atëherë inspeksioni komunal i ndërtimit vepron duke e penguar pronarin/investitorin që ndërton, deri sa ai të dorëzohet dhe pranon që të ulet dhe të bënë bënë pazar në interes të klasës politike dhe në dëm të vet atyre, por që janë të detyruar.

 

Ne si opozitë disa herë dhe në vazhdimësi e kemi ngritur këtë çështje problematike të ndërtimeve pa leje, derisa edhe vet kryetari i komunës Lutfi Haziri e ka pranuar publikisht se ndërtimet pa leje janë një problem serioz, por që deri më tani ai asnjëherë nuk ka vepruar për ta parandaluar këtë dukurie shkatërruese dhe korruptuese, pos që e ka shuar/mbyllur plotësisht drejtorinë e Inspeksionit, që i bjen se ka vepruar për ti dhënë liri dhe mundësi  të pafundme zyrtarëve të tij të lartë komunal, që të përfitojnë miliona euro nga ky biznes i zi i ndërtimeve të egra në qytetin e Gjilanit.

 

Kryetari i Gjilanit po heshtë edhe në ato pak raste kur inspeksioni vepron me vendosjen e shiritave për ndaljen e ndërtimeve pa leje apo edhe kur ka tejkalime të mëdha nga projektet në të cilat është bazuar dhe lëshuar leja ndërtimore nga urbanizmi, ndërsa investitorët e LDK-AAK “bosët” shkojnë dhe i përzënë inspektorët komunal të ndërtimit nga vend punishtet. Pra do të thotë se kjo katrahurë që ka nisur me ndërtimet pa leje dhe po vazhdonë tutje, është bërë krejt me lejen dhe miratimin e heshtur nga ana e kryetarit të Gjilanit.



Komisioni për urbanizëm dhe mbrojtje të mjedisit


Dega e PDK-së Gjilan

Kthehu mbrapa

Shto koment