PDK: Në raportin e punës së kryetarit Haziri, dolën shumë të pavërteta

14.03.2015 (komentet: 0)

 

Në raportin vjetor të punës së kryetarit të komunës për vitin 2014, i miratuar nga Kuvendi Komunal, përveç tjerave ishin paraqitur një numër jashtëzakonisht i madh i të pavërtetave që kryetari i komunës, i kishte bërë para qytetarëve të Gjilanit dhe të Kosovës, duke manipuluar dhe mashtruara me shifra e të dhëna të ndryshme, me qëllim të mbulimit të dështimeve dhe mos punës së institucioneve komunale për gjatë tërë vitit të kaluar.

 

Për më shumë se një vit kryetari i komunës kishte deklaruar një të pavërtetë të madhe se ka gjetur 10 milion euro borxhe të trashëguara, tani në raportin e tij të punës e ka pranuar përafërsisht realitetin se ka gjetur 4.1 milion euro, ndërsa ishin më pak se 2 milion euro.

Lutfi Haziri kishte deklaruar se për herë të parë janë thyer kufijtë buxhetor për komunën e Gjilanit, për 4.2 milion euro për vitin 2015. Edhe kjo tani doli e pavërtetë, sepse qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka bërë asnjë rritje të buxhetit komunal, por ka zvogëluar për 1.8 milion euro buxhetin komunal për investime kapital, pra i janë ndarë Gjilanit vetëm 1.2 milion euro për investime kapitale, njësoj sa komunës së Leposaviqit.

Të hyrat vetanake u deklaruan se kanë shënuar rritje, ndërsa doli se ka rënie për 600 mijë euro për vitin 2014, mirëpo këtë rënie e kanë mbuluar të hyrat nga gjobat në trafik dhe të gjykatave, që qytetarët e Gjilanit paguan mbi 846 mijë euro për një vit. Vetëm nga ndërtimet pa leje, nuk u realizuan 250 mijë euro të planifikuara, duke e dëmtuar rëndë buxhetin komunal të Gjilanit.

Kryetari i komunës në vazhdimësi është thirrur në “Dietën Buxhetore” në qeverisjen e tij komunale. Mirëpo në raport shihet qartë se në disa kategori ka rënie të shpenzimeve, mirëpo në disa të tjera kishte rritje të mëdha, e që në total ka pasur përafërsisht shpenzime të njëjta. Vetëm për shpenzime të telefonit (vala dhe telefon fiks), janë paguar 56 mijë euro, ku prej tyre janë paguar rreth 16 mijë euro borxhe të kaluara, që do të thotë se janë shpenzuar mbi 40 mijë euro, ndërsa gjatë tërë vitit kryetari i komunës kishte deklaruar se ka zero euro shpenzime për vala. Poashtu për shpenzime të udhëtimit jashtë vendit, akomodim dhe mëditje, janë shpenzuar 26,255.83 euro, ku vetëm kryetari i komunës ka marr 3,640.28 euro për shpenzime dhe mëditje nëpër vende të ndryshme (SHBA, Gjermani, Strasburg, Shqipëri etj). Në raportin e tij të punës, ai askund dhe asgjë nuk ka përmendur ndonjë rezultat nga vizitat e tij jashtë vendit, sepse ato kanë qenë private dhe në shërbim të LDK-së, kur në Gjermani kishte qenë me Isa Mustafën për të lidhur koalicion me Hashim Thaçin, ai ka shpenzuar mbi 600 euro për mëditje dhe në hotele të Gjermanisë.

Për projektin e lumit Mirusha është thënë se do të përfundojë shpejt, por i janë ndarë nga qeveria e Republikës së Kosovës vetëm 150 mijë euro për vitin 2015, ndërsa duhen edhe 3 milion euro të tjera për ta përfunduar këtë projekt të rëndësishëm.  

Bizneseve të Gjilanit, kryetari i komunës i kishte premtuar uljen e taksave, mirëpo ndodhi e kundërta, sepse nga viti 2014 ai i ktheu dhe i rriti taksat komunale për bizneset, të cilat taksa i kishte hequr plotësisht qeverisja e PDK-së.

Për autostradën e Gjilanit është thënë se do të nis këtë vit, ndërsa nuk ka as projekt të gatshëm dhe nuk ka asnjë buxhet të planifikuar. Poashtu për rrugët me katër korsi, në hyrjet e Gjilanit që ishin premtuar se do të realizohen vitin e kaluar, shihet se nuk mund të nisin as në këtë vit, e as në vitin tjetër.

Projektin e zonës ekonomike rajonale, kryetari i komunës e ka anuluar pa asnjë arsye të vetme edhe pse donatori i Republikës së Çekisë dhe ekspertët r tyre, kishin bërë studimin e fizibilitetit, arsyeshmërinë për krijimin e kësaj zone ekonomike, e cila do të ndikonte drejtpërdrejtë në rritjen e zhvillimit ekonomik, nxitjen e investimeve të huaja, rritjen e punësimit si dhe efektet tjera pozitive.  

Për tregun e gjelbër kishte deklaruar se do ta ndërtohej brenda vitit, ndërsa nuk ka bërë asnjë lëvizje të vetme në këtë drejtim.

Kryetari i komunës kishte deklaruar se “Jabanxhinjtë” nuk do të mund të marrin punë në Gjilan, ndërsa qeverisja e tij iu ka dhënë 18 tenderë kompanive jashtë Gjilanit, në vlerë prej 1 milion e 23 mijë euro nga buxheti komunal, apo 30% e të hyrave vetanake të buxhetit komunal.

Gjatë vitit 2014, nga 109 tenderë, 79 prej tyre i ka dhënë pa procedurë të hapur dhe vetëm 30 prej tyre, ka shpallur procedurat e hapura të tenderimit. Dhe për këtë arsye OSHP (Organi i Shqyrtimit Publik) në Prishtinë, komunës së Gjilanit ia ka anuluar 14 tenderë në vlerë prej 3.4 milion euro, duke konstatuar shkelje procedurale dhe ligjit të prokurimit.

Sipas Riad Rashiti, anëtar i KK Gjilan, në raportin e punës së kryetarit për vitin 2014, nuk është paraqitur asnjë sukses apo e arritur e realizuar sipas premtimeve dhe zotimeve të bëra para qytetarëve të Gjilanit. Vlerësimet tona si opozitë ndaj kësaj qeverisje komunale, janë se ka pasur degradim në të gjitha institucionet komunale dhe sektorët qeverisës, e që Gjilani gjatë qeverisjes së PDK-së njihej për shumë të arritura dhe suksese, të vlerësuara nga mekanizma dhe institucione vendore dhe ndërkombëtare, të cilat i ndanë çmime të ndryshme dhe shpërblime financiare në shumë fusha. Ndërsa tani kjo gjendje ka ndryshuar totalisht për të keq, nuk ka asnjë vlerësim pozitiv për punën e institucioneve komunale nga asnjë mekanizëm ndërkombëtar.

Ndërsa edhe Sahit Abazi, shef i GKK të PDK-së, thotë se Gjilani po ecë mbrapa, qytetarëve iu është rikthyer zhgënjimi në qeverisjen komunale, është rritur depresioni ekonomik, bizneseve iu janë rritur vështirësitë dhe problemet, investimet kanë shënuar rënie, donatorët janë zvogëluar, sporti Gjilanas po humb, anarkia ka kapluar çdo fushë të shoqërisë në Gjilan.

Aftësia e kryetarit të komunës, që përmes deklarate populliste të mbulojë dështimet e qeverisjes së tij dhe të fsheh problemet e qytetarëve të Gjilanit, ka filluar të bie, sepse qytetarët e Gjilanit shpejt e kanë kuptuar këtë lojë mashtruese dhe manipuluese të kryetarit të komunës. Ne si opozitë do të vazhdojmë t’ia pasqyrojmë qytetarëve të Gjilanit, mundësit dhe dështimet e kësaj qeverisje, ku do të shihet qartë se ky kryetar komune vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen e përgjithshme të komunës së Gjilanit, e cila sigurisht se nuk ka qenë në këtë nivel dhe në këtë gjendje, në çfarë e ka drejtuar tani Lutfi Haziri.

 

Grupi i Këshilltarëve Komunal të PDK-së Gjilan

 

Kthehu mbrapa

Shto koment