PDK: Gjilani kampion i Kosovës për anulimin e dhënies së tenderëve

26.02.2015 (komentet: 0)

 

Ka më shumë se një vit, që projektin për asfaltimin e rrugëve në lagjen e VIII, komuna e Gjilanit nuk po mund ta kontraktojë për kryerjen e punëve, për shkak të dallavereve të shumta të qeverisjes Haziri që po i bënë me dhënien e tenderëve. 

OSHP (Organi i Shqyrtimit të Prokurimit) e ka anuluar këtë dhënie të tenderit, sikurse që i ka anuluar hiq më pak se 14 dhënie të tenderëve, të shpallura nga komuna e Gjilanit në vlerë prej 3.4 milion euro brenda më pak se një viti. Ndërsa pas Gjilanit janë komuna e Pejës me 7, Prishtinës dhe Ferizajit me 4, Gjakovës dhe Suharekës me 2 tenderë të dhënë, që janë anuluar nga OSHP.

Këtë tenderë komuna e Gjilanit ia kishte dhënë më datë 13 tetor 2014, kompanisë “Zuka Company” në vlerë prej 97,231.65 euro, mirëpo OSHP-ja ia kishte anuluar këtë tenderë sipas vendimit nr. 432/14 të datës 27 nëntor 2014 për shkak të parregullsive të gjetura në këtë tenderë, ndërsa pas një kohe prapë komuna e Gjilanit ia kishte dhënë këtë tenderë, të njëjtës kompani më datë 19 dhjetor 2014, mirëpo përsëri OSHP e ka anuluar dhënien e këtij tenderi përmes vendimit numër 537/14 të datës 13 shkurt 2015.

Përveç anulimit të këtyre tenderëve nga OSHP, janë duke u bërë edhe shumë dallavere me tenderët të cilët po iu jepen militantëve dhe financuesve të LDK-së. Ku tenderi i fundit i është dhënë kompanisë GARAGE BENZ për mirëmbajtjen e automjeteve të komunës në vlerë prej 135 mijë euro për tri vite.

Partia Demokratike e Kosovës dega në Gjilan, i kërkon kryetarit të komunës Lutfi Haziri, që të ndalë keqpërdorimet e mëdha që po bëhen me buxhetin komunal dhe me paratë e qytetarëve të Gjilanit. Të gjitha këto dallavere janë duke u bërë me dijen dhe lejen tuaj, sepse ne si opozitë, që nga fillimi i qeverisjes tuaj me komunën e Gjilanit, i kemi paraqitur në vazhdimësi keqpërdorimet, shkeljet ligjore dhe procedurale të ligjit të prokurimit dhe të financave nga zyrtarët tuaj komunal.

Ndërsa ne si PDK dega në Gjilan, i kërkojmë edhe njëherë Prokurorisë Themelore në Gjilan, që të përfundojë hetimet e nisura për rastet të cilat i kemi paraqitur vitin e kaluar, lidhur me dyshimet për keqpërdorime me tenderët e dhënë nga komuna e Gjilanit dhe të dërgojë para drejtësisë përgjegjësit për këto veprime të jashtëligjshme.

Kthehu mbrapa

Shto koment