Në shëndetësinë primare janë investuar rreth 200 mijë euro

09.08.2016 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar edhe nga stafi i tij udhëheqës me shëndetësinë primare, dhe bashkëpunëtorët e tjerë, ka vizituar sot Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, “Nagip Rexhepi”, pastaj Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Përlepnicë dhe QMF-në “Ramiz Cërrnica”, institucione në të cilat është bërë renovim dhe investime në kuadër të përgatitjes për një infrastrukturë më të mirë shëndetësore në shërbim të qytetarëve.

 

 

Në fjalën e tij në inaugurimin e renovimit të QMF-së në fshatin Përlepnicë kryetari Lutfi Haziri, ka thënë se investimet e bëra në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Përlepnicë, në QMF “Ramiz Cërrnica dhe QMF të tjera, janë shembulli më i mirë i krijimit të kushteve më të mira për pacientët dhe për stafin mjekësor.

“Kualiteti i shërbimeve tash është sigurisht shumë më i mirë se sa para asaj periudhe. Ne kemi mbyllur ciklin e investimeve në sektorin e shëndetësisë primare, sa i përket renovimeve, rindërtimeve dhe investimeve të tjera si në qytet por edhe në të gjitha fshatrat. Kemi plotësuar kapacitetet edhe profesionale me mjekë dhe me staf tjetër teknik. Jemi duke punuar dhe po përgatitemi, për fillimin e punës në ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare që është planifikuar përballë Spitalit Regjional, që është investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe i Komunës së Gjilanit, në një vlerë prej rreth 1.5 milionë euro”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri gjatë vizitës në fshatin Përlepnicë.

 

Haziri poashtu ka potencuar se ne këto investime që janë në proces dhe atyre që janë realizuar, Gjilani e realion programin sa i përket investimeve në infrastrukturë shëndetësore.

 

Ndërsa nga ana e tij drejtori i QKMF-së, Fejzulla Berisha, ka thënë se falë mbështetjes së kryetarit Haziri, është arritur që në këtë pjesë të vitit të investohet mjaft shumë në shëndetësinë primare kryesisht në renovime, rindërtime dhe investime të tjera, që vlera totale është rreth 200 mijë euro.

 

Berisha, poashtu ka lënë të kuptohet se investime të tilla ka edhe në QMF-të dhe AMF-të e tjera në qytet dhe në fshatra dhe gjenda teknike dhe funksionale e objekteve të shëndetësisë primare sipas tij, tash, është shumë më e mirë se që ishte para intervenimit dhe kushtet për dhënien e shërbimeve janë shumë më të mira dhe gjithnjë në shërbim të qytetarëve-pacientëve.

 

“Sot është qendra e 12 e cila po merr investimet nga Komuna e Gjilanit, kështu është arritur të përmbyllet cikli i domosdoshëm i renovimeve, krahas edhe shumë punëve të tjera që janë bërë deri më tani në sektor të ndryshëm të shëndetësisë primare”, ka thënë ndër të tjerash drejtori Fejzullah Berisha.

 

Ndërsa në fjalën e tij rreth investimeve, ka folur nënkryetari Rexhep Kadriu i cili tha se në fshatin Përlepnicë janë bërë edhe shumë investime të tjera si në infrastrukturë publike ashtu edhe në atë kulturore dhe njëkohësisht është duke u punuar edhe më tutje në përgatitje të investimeve shtesë.

 

“Janë bërë investime të shumta në këtë drejtim, si në kanalizim, rrugë, shtëpi të kulturës, në këtë qendër shëndetësore dhe jemi në fazën e dytë përgatitore për asfaltimet e reja, si dhe përgatitjet për zgjerimin e rrugës nga fshati në drejtim të rrugës Gjilan – Bujanoc, që parashihet zgjerimi, trotuaret, ndriçimi dhe gjithë infrastruktura përcjellëse, krahas edhe Autostradës e cila do të kaloj përskaj këtij fshati”, përfundoi ai në fjalën e tij.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment