Luta: Me dëshmorin Ibrahimi punuam bashkë!

21.04.2014 (komentet: 0)

Është përkujtuar sot dëshmori i kombit Ibrahim Uruqi në 15 vjetorin e rënies për lirinë e Kosovës. Fillimisht, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve.

 


Më pas është kremtuar dita e shkollës në Bresalc, që e mban emrin e këtij kolosi të kombit. 
Tubimi përkujtimor është mbajtur pikërisht në sallën e sportit të shkollës, ku kishte stërvitur Uruqi për të bërë rezistencë ndaj forcave ushtarake e paramilitare serbe.
Të pranishëm në tubim ishin edhe kryesuesja e Kuvendit, drejtorët komunal, deputetë e veprimtar të çështjes kombëtare.
Në fjalën e rastit, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se dëshmori Ibrahim Uruqi ra në altarin e lirisë për ne të gjallët që po jetojmë sot e po kremtojmë lirinë e pavarësinë e Kosovës. 
“Sot mbi të gjitha, është vepra e madhe e Ibrahim Uruqit që na ka bashkuar. Ibrahimi dhe të gjithë dëshmorët tanë, sot na bëjnë të ndihemi të vegjël, na bëjnë të ndihemi të obliguar dhe të përgjegjshëm që amaneti i tyre, sakrifica e tyre të çmohet dhe të ecim përpara. Kjo sallë, ka qenë njëra prej sallave ku Ibrahimi ka bërë stërvitjet ushtarake. Jam i nderuar, që unë jam njëri nga shokët që ka ecur në një kohë të vështirë, të gjatë e të rëndë me Ibrahimin”, tha Haziri.
“Atë që e kam thënë në përvjetorin e parë dhe të gjithë përvjetorët tjerë është se falë Ibrahim Uruqit dhe rezistencës së tij dhe idealit të tij një numër i madh i njerëzve sot janë këtu gjallë dhe jetojnë. Falë asaj sacrifice të madhe të tij dhe luftës së tij, ne sot jemi dëshmitarë të gjallë dhe e kemi këtë ditë të bardhë të lirisë. Gjunjëzohemi para veprës së tij, ju gjenerata e nxënësve jeni krenar që mësoni këtu dhe në librat, fletoret e ditarët tuaj e shkruani emrin e Ibrahimi Uruqit”, ka thënë Haziri.
Haziri premtoi se do ta rregullojmë këtë shkollë në mënyrë që emri i Ibrahimit të jetë gjithmonë i ndritur, çfarë ka qenë gjithmonë ai. 
Një fjalë rasti patën edhe drejtori i arsimit Nazmi Musa dhe deputeti Ahmet Isufi, të cilët vlerësuan lartë figurën e dëshmorit Ibrahim Uruqi.
Kremtja e ditës së shkollës u mbyllë me një program të pasur kulturoro-artistik nga nxënësit e shkollës fillore “Ibrahim Uruqi” të fshatit Bresalc

Kthehu mbrapa

Shto koment