Kuvendi Komunal miraton pakon e subvencionimit të shoqatave dhe klubeve

26.05.2015 (komentet: 0)

Kuvendi Komunal i Gjilanit, të martën, në seancën e radhës, të drejtuar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka diskutuar gjerësisht për gjendjen në Teatrin e Qytetit dhe pas një debati, ku janë përfshirë të gjitha grupimet politike dhe janë dëgjuar edhe aktorët dhe sindikata e aktorëve, ka vendosur që zyra e kryetarit të Komunës të vazhdojë subvencionimin e shfaqjeve, meqë ligji nuk lejon ndarjen e pagave për aktorë, deri në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare, e cila është duke u kërkuar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

 

Në funksion të tejkalimit të situatës së tashme, janë angazhuar edhe Avdyl Aliu (LDK), Sahit Abazi (PDK), Selami Xhemaji (AAK), Nevzad Isufi (VV), Ismet Hajdini (AKR), Shpresa Kurteshi (LDK), Riad Rashiti (PDK), Arben Maliqi (LDK), Zijadin Maliqi (LDK), po edhe aktorët Ramadan Kurti, Gyner Halili e Naser Zymberi, ku ka mbizotëruar arsyeja për nevojën e gjetjes së një zgjidhje ligjore, në mënyrë që teatri të mos përballet në të ardhmen me situata të tilla.

 

Sahit Abazi, në emër të PDK-së, ka kërkuar fond emergjent për të siguruar pagat e punëtorëve të teatrit, si zgjidhje e përkohshme, deri te gjetja e një zgjidhje të përhershme.

 

Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se duhet të pritet zgjidhja ligjore për teatrin, sikurse edhe Selami Xhemajli (AAK), i cili ka thënë se me kthimin e statusit profesionist, Komunës i hiqet një pjesë e barrës për teatrin.

 

Nevzad Isufi (VV) tha se teatri nuk duhet të mbetet në mëshirën e askujt, por këtij institucioini duhet t`i sigurohet financim i përhershëm.

 

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se personalisht është anagazhuar për të gjetur një zgjidhje ligjore për Teatrin e Gjilanit.
“Dosjen e Teatrit të Gjilanit e kam dorëzuar në MKRS dhe jemi në koordinim për gjetjen e një rruge për financim të këtij institucioni”, ka thënë Haziri.

 

Kuvendi Komunal ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për subvencionimin e aktiviteteve të shoqatave dhe klubeve sportive.

 

Fatbardha Selmani (PDK) tha se lista është diskriminuese, sepse janë lënë jashtë saj disa klube, ndërsa Fehmi Sylejmani (VV) thanë se duhet të ndihmohen të gjitha klubet, por kërkoi që ketë edhe auditim rigoroz të procedurave të shfrytëzimit të mjeteve.

 

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se do të subvencionohen të gjithë ata që meritojnë, por i ka bërë me dije përfituesit se kanë për obligim që t`i arsyetojnë kërkesat, të paraqesin raport për shfrytëzimin e mjeteve dhe t`i mbyllin subvencionet në fund të vitit.

 

Ai ka thënë se do të ketë edhe auditim për mënyrën e shfrytëzimit të subvencioneve, duke nënvizuar se në Komunë ka gjetur subvencione të pa mbyllura.

 

Sa i përket shoqatës “Liria” e cila nuk është përfshirë në këtë listë të subvencioneve, Haziri ka sqaruar se janë në pritje të përgjigjes nga Ambasada Norvegjeze, të cilës i është bërë kërkesa për një donacion, por nëse nuk gjejmë mirëkuptim, atëherë zgjidhjen do ta gjejmë ne si Komunë, ka thënë ai.

 

Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për kompensimin e komisionit për plotësimin e emërtimeve të rrugëve dhe adresave. Kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se kompensimi do të jetë 50 euro, aq sa është për komitetet obligative.

 

Në këtë seancë është miratuar edhe vendimi për funksionalizimin e Komitetit për bashkëpunim ndërkufitar dhe të Komitetit për barazi gjinore, me përbërje sipas përfaqësimit politik në asamble, ndërkaq janë shtyrë për seancën e ardhshme propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve për botimin e dorëshkirmeve të poetit Beqir Musliu si dhe ai për festivalin “Gjilani 2015”.

 

Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se kërkesat duhet të rishqyrtohen edhe njëherë, për t`i parë mundësitë buxhetore, meqë shumat e kërkuara, janë të mëdha.

 

Izmi Zeka (PDK) ka thënë se nuk duhet të vihet në pikëpyetje botimi i dorëshkrimeve të Beqir Musliut, për shkak të mjeteve buxhetore, sepse ato janë një thesar i çmueshëm i Gjilanit, ndërsa Nevzat Isufi (VV) tha se në këtë rast kemi të bëjmë me një emër që është krenaria e Gjilanit.

 

Bunjaku-Rexhepi ka thënë se nuk është duke u vënë pikëpyetje financimi i botimit të dorëshkrimeve të Beqir Musliut dhe ka kërkuar mirëkuptim nga Kuvendi, deri në seancën e ardhshme, në mënyrë që analizohet edhe njëherë mundësitë buxhetore. 

Kuvendi ka përkrahur edhe kërkesën e Lëvizjes “Vatra” dhe i ka rekomanduar qeverisë së Kosovës krijimin e lehtësirave administrative për qytetarët e Kosovës Lindore, sa i përket marrjes së shtetësisë dhe pajijes me dokumente personale.

 

Kërkesën e ka arsyetuar Sejdullah Kadriu (Vatra), i cili ka thënë se disa qindra qytetarë nga Lugina e Preshevës, prej 15 vitesh kanë ngelur pa një status të definuar dhe ata sot nuk janë as refugjatë dhe as shtetas të Kosovës.

 

Kërkesa është përkrahur nga të gjitha grupimet politike, Fehmi Sylejmani (VV), Isa Agushi (LDK), Sahit Abazi (PDK), Selami Xhemajli (AAK) dhe të tjerë, por është shprehur edhe frika se kjo mund të nxis lëvizje të reja të shqiptarëve nga këto komuna, në vend se të ndodh e kundërta dhe të zhvendosurit të kthehen në trojet e tyre. /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment