Kuvendarët e Gjilanit miratojnë Kornizën Afatmesme Buxhetore 2016-2018

29.06.2015 (komentet: 0)

 

 Kuvendi Komunal i Gjilanit, të hënën, në mbledhjen e radhës për këtë vit, të kryesuar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka shqyrtuar dhe miratuar Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2016-2018, rregulloren për komitetet, dy vendime për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim, vendimin për themelimin e panelit për përzgjedhjen e anëtarëve të Komitetit konsultativ të ekspertëve të planifikmit hapësinor, vendimin për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollës së agrobiznesit, vendimin për subvencionimin e veprimtarisë së Teatrit si dhe vendimin për mbylljen e një pjese të rrugës “Bulevardi i Pavarësisë”, për automjete, nga ora 19:00-23:30, gjatë muajve korrik-gusht.

 

Kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se në këtë seancë do të jepet edhe informata për dëmet nga vërshimet e mëhershme, e cila është kërkuar nga opozita (PDK), sikurse drejtorët komunalë kanë dhënë përgjigje edhe në interesimet tjera të ngritura nga këshilltarët, gjatë seancës, ndërkaq informata për ndërtimet pa leje, të cilën e ka kërkuar Bujar Nevzati (PDK), do të sillet në njërën nga seancat e radhës.  

Një informatë përmbledhëse për KAB-in e dha Ilmi Limoni, drejtor financiar, i cili tha se kufijtë buxhetor prej mbi 21 milionë, të përcaktuar nga qeveria, janë më të ultë se nevojat e Komunës së Gjilanit, që sipas vlerësimit tonë, duhet të jenë 27.731.786 euro.

Limoni tha se probleme do të ketë veçmas te granti i arsimit, që është i pamjafteushëm, me gjithë rritjen e vogël që është paraparë.  

Sa u përket të hyrave vetanake, ato do të jenë 4 milionë euro në vitin 2016, kurse subvencionet dhe investimet kapitale do të jenë dyfish më të mëdha se në këtë vit, ka thënë Limoni.

Sipas tij, qeverisë së Kosovës i është kërkuar ndarja e një granti shtesë prej mbi 6 milionë euro, për Komunën e Gjilanit.

Zijadin Maliqi (LDK), ka thënë se buxheti i planifikuar është shprehje e nevojave reale të Komunës së Gjilanit, por sipas tij, thyerja e kufijve buxhetorë do të jetë e vështirë. Ekziston mundësia që kjo shumë të plotësohet përmes investimeve, ka thënë ai.

Riad Rashiti (PDK) ka thënë se planifikimi nuk është real dhe KAB-in e ka cilësuar një fontanë dëshirash. Sipas Krenare Latifit (VV), nuk iu është dhënë përparësi investimeve kapitale, por më shumë kategorisë së mallrave dhe shërbimeve. Kurse Mevlide Zejnullahu (AAK) ka thënë se shihet qartë se janë marrë parasysh prioritetet e komunës së Gjilanit, sipas viteve.

Nevzad Isufi (VV) pati vërejtje te subvencionet në arsim, që sipas tij, janë të njëjta për tri vitet e ardhshme, kurse Fehmi Sylejmani (VV) ka thënë se nëse nuk rriten këto subvencione qind për qind, atëherë vitin e ardhshëm nuk do të ketë bursa për nxënës dhe studentë.

Në të gjitha këto pyetje dhe dilema, ka dhënë sqarime shtesë drejtori Ilmi Limoni.          

Interesimin e anëtarëve të KK-së e ka tërhequr edhe propozimi për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim, të cilin e ka arsyetuar Sadudin Berisha, drejtor i Kadastrës si dhe Nevzad Rushiti, kryesues i Komitetit të Pronës. Berisha ka sqaruar se në rastin e parë bëhet fjalë për tri ngastra të vogla, në tri lokacione të ndryshme, të cilat janë kërkuar në shfrytëzim për 99 vjet nga KEDS-i, për ndërtimin e trafove, si interes publik, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me dhënien në shfrytëzim për 15 vjet të një prone komunale, për nevoja të agrobiznesit.

Përfaqësuesi i PDK-së, Riad Rashiti ka insistuar që Kuvendi Komunal të caktojë një çmim fillestar të dhënies së pronës në shfrytëzim, para se të nxirret në ankand publik, me çka është dakorduar edhe Isa Agushi (LDK).

Pas konsultimit me Zyrën Ligjore, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi sqaroi se sipas ligjit, çmimi fillestar caktohet nga komisioni, ndërkaq çmimi përfundimtar vendoset përmes konkurrencës, në ankand publik.    

Kuvendi miratoi edhe vendimin për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollës së agrobiznesit, për çka janë planifikuar 17.500 euro, të ciin e arsyetoi Nami Musa, drejtor i Arsimit, duke thënë se është i domosdoshëm stimulimi i të rinjve për profilet bujqësore, që viteve të fundit ka rënë ndjeshëm, aq sa rrezikohet edhe mbyllja e shkollës. Bursat jepen për nxënës të shkëlqyeshëm, ka thënë Musa.

Po ashtu Kuvendi Komunal ka miratuar edhe vendimin për themelimin e panelit për përzgjedhjen e anëtarëve të Komitetit konsultativ të ekspertëve të planifkimit hapësinor, ku katër anëtarë do të jenë nga subjektet politike LDK, PDK, AAK, ndërsa një tjetër, nga shoqëria civile.

Në këtë seancë u miratua edhe vendimi për subvencionimin e Teatrit të Qytetit. Bujar Haziri, shef i Njësisë për Kulturë, ka thënë se ndarja e subvencionit prej 33 mijë euro, për Teatër, është njëri prej angazhimeve të kryetarit të Komunës, për të zgjidhur problemin e këtij institucioni dhe ka shtuar se po bëhen përpjekje bashkë me Ministrinë e Kulturës që këtij teatri t`i kthehet statusi profesionist.

Bujar Nevzati (PDK) ka thënë se shuma e mjeteve është e vogël dhe ka kërkuar që ajo të rritet.

Sa i përket kërkesës për dëmet nga vërshimet, një informatë para këshilltarëve komunalë e ka prezantuar Rexhep Kadriu, nënkryetar i Komunës, i cili ka thënë se dëmet janë evidentuar me kohë, kërkesa për kompensim është dërguar në qeveri dhe jemi në pritje të një përgjigje.

Kadriu ka thënë po ashtu se Komuna ka identifikuar edhe pikat kritike dhe në njërn prej tyre, që është lumi Baja, ka investuar në rregullimin e shtratit dhe kështu i ka shpëtuar 200 shtëpi nga vërshimet tjera.

Përndryshe, Kadriu është përgjigjur edhe në disa pyetje tjera rreth kampusit universitar, ujësjellësit në Kmetoc, projektit në lagjen “Dardania” dhe të tjera, të cilat i kanë shtruar këshilltarët komunalë, duke thënë se në të gjitha këto projekte janë duke u zhvilluar procedurat e nevojshme, para se të fillojnë punimet.

Kthehu mbrapa

Shto koment