KSHMS i jep përkrahje projektit për kontrollimin sistematik të nxënësve

08.10.2014 (komentet: 0)

 

Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS) i ka dhënë përkrahje të mërkurën projektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan, për realizimin e një kontrollimi sistematik të nxënësve të shkollave fillore.

 

Dr Imet Rrahmani, kryesues i Komitetit, ka kërkuar nga QKMF-ja që në ekip të angazhojë mjekë me përvojë dhe të përkushtuar për të kryer këtë punë në terren, ndërkohë që Kuvendit Komunal i është rekomanduar që për vitet tjera të planifikojë një linjë të veçantë buxhetore për kontrollimet sistematike të nxënësve.

Dr Fejzullah Berisha, drejtor i QKMF-së, ka thënë se zbulimi i hershëm i anomalive dhe sëmundjeve tjera eventuale tek të rinjtë tanë, është shumë i rëndësishëm, sepse mundësohet edhe trajtimi i tyre.

Sipas tij, rezultatet e këtij projekti do të jenë një tregues shumë i mirë për planifikimin dhe orientimin e politikave shëndetësore lokale në të ardhmen.

Ai ka sqaruar se në këtë projekt do të përfshihen 4.667 nxënës të klasave 1, 5, 9 të shkollave fillore të komunës së Gjilanit, tek të cilët do të vlerësohen 30 parametra mjekësor. Fëmijët, tek të cilët zbulohen sëmundje ose çrregullime të caktuara, do të referohen për hulumtime të mëtutjeshme apo tek specialistë përkatës.

Në këtë kontrollim do të përfshihen të gjitha shkollat e qytetit dhe fshatrave të komunës se Gjilanit. Është paraparë të merret edhe pëlqimi i prindit të secilit fëmijë që kontrollohet.   

Projekti, i cili ka marrë përkrahje nga të gjitha grupimet politike, ka një kosto financiare prej 9500 euro.

Kthehu mbrapa

Shto koment