Iniciativa e Lutfi Hazirit për kultivimin e duhanit, i bënë bashkë institucionet, shoqërinë civile dhe prodhuesit

26.05.2016 (komentet: 0)

 

 Iniciativa e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për kulturën e duhanit i ka bërë bashkë sot në Gjilan Komisionin për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët në bashkëpunim me organizatën KDI dhe MDA, kanë organizuar tryezën e diskutimit lidhur me “akcizën në produktet e duhanit dhe revitalizimin e industrisë së duhanit në Republikën e Kosovës”, ku morën pjesë edhe shumë fermerë të interesuar për kultivimin e bimës së duhanit.

 

Kryesuesi i Komisionit për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bardhyl Meta, ka falënderuar kryetarin Haziri, për të cilin tha se është ideator i kësaj tryeze me qëllim që të riaktivizohet kjo fushë, t’i kthehet nami i industrisë së duhanit, që dikur ishte shumë rentabile si për kultivuesit, industrinë e duhanit dhe vendin në përgjithësi.

Ndërsa, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, theksoi se ideja e inicimit të kësaj çështjeje ka nisur qysh në vitin e kaluar, pasi tha se familjet në Gjilan në të kaluarën e kanë siguruar mirëqenien nga kjo veprimtari.

“Ka një vit që është inicuar procesi, në fazën e parë në tavolinë, që t’i kthehemi punës tonë, secili në regjionin e tij, ndërsa sa i përket regjionit të Gjilanit, dua të them se çdo familje prej çdo fshati, vendbanimi dhe lagje të qytetit, është marrë me kultivimin e duhanit, pavarësisht gjendjes ekonomike që e kanë pasur, duke filluar nga bujqit, arsimtarët, profesionet dhe të gjitha profilet”, ka thënë Haziri.

Haziri ka përmendur nevojën e domosdoshme të miratimit të ligjit dhe nevojës së përfshirjes në subvencionim të bimës së duhanit, ndërkaq theksoi se kryeministri Mustafa ia ka shprehur gatishmërinë dhe mbështetjen për këtë programi.   

“Lajmi i mirë është vullneti i mirë i deputetëve, grupit punues, gatishmëria e kryeministrit dhe vetë qeverisë dhe pronarit të ri të “Premium Tabacco Group”, bënë që trekëndëshi të funksionoj në një koordinim, i cili, çon drejt fillimit të adaptimit të legjislacionit, apo ligjit të domosdoshëm, lehtësimeve dhe parashikimeve që duhani si bimë të vendoset në listën e prioriteteve dhe duhet të subvencionohet nga qeveria. Kosova, në këtë fazë të zhvillimit të kulturës së duhanit, nuk mund ta parashohë asnjë lloj akcize”, ka deklaruar Haziri.

Haziri tha se dita e sotme, është me e lumtura që prej marrjes së mandatit të kryetarit, duke thënë se ky program i jep mundësinë familjeve gjilanase edhe të punojnë, por edhe të kenë përfitime të shumëta.

“Komuna e Gjilanit, në planifikimin buxhetor në vjeshtë, do të parashoh subvencione drejtpërdrejt për familjet që janë të interesuara të fillojnë me kultivimin e kulturës së duhanit, në mënyrë që ta rikthejmë kulturën e gjelbërt të tokave te Gjilanit dhe Anamoravës. Është ambient që krijon mundësi shumë, duke pasur parashyshë kapacitetet e kompanisë për t’i blerë dhe plasuar në treg, janë qartazi indikacione që na bëjnë që të përgatitemi. Tashmë me teknologjinë e re, farmerët e kanë shumë më të lehtë kultivimin e bimës së duhanit”, ka shtuar Haziri.

Përkrahje me të gjitha kapacitetet për kultivimin e kulturës së duhanit, ka shprehur sot Jehona Shyti, shefe e kabinetit të ministrit të Bujqësisë. Memli Krasniqi.

“Jam këtu për të përcjellë mesazhin e ministrit Krasniqi, i cili është mbështetës i fuqishëm i kësaj iniciative, që së bashku me institucionet relevante, duke filluar me Kuvendin e Kosovës, Ministrinë e Financave, Komunën e Gjilanit dhe me shoqërinë civile e farmerët, që të involvohemi bashkërisht që të mbështesim një program i cili do të bëjë rivitalizimin e sektorit të prodhimit të duhanit. Ne, që nga fillimi, kemi qenë kundër akcizës në fletat e duhanit dhe besojmë se do ta kemi përkrahjen e Kuvendit të Kosovës për këtë çështje”, ka thënë Shyti.

Nga ana e tij, Gazmnd Abrashi, pronar i fabrikës së duhanit në Gjilan “Premium Tabacco Group”, tha se pas privatizimit, kompania e tij ka investuar mbi 7 milionë euro, derisa ka të punësuar mbi 100 persona.

Ai ka konfirmuar se fabrika e tij është e gatshme t’i blejë të gjitha prodhimet e farmerëve, pasi tha se kapaciteti i grumbullimit të duhanit të grirë është 6 mijë tonë, derisa ai i paketimit të cigareve është 3 mijë për një vit.

Artan Murati nga KDI, tha se nga pikëpamja e shoqërisë civile, do ta mbështesin secilën nismë të mbarë për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit, ndërkaq Bardhyl Musa nga MDA, ka prezantuar studimin, i cili përfshinë një historik të ish-fabrikës së duhanit në Gjilan ndër vite, sikurse edhe një krahasim të legjislacionit të akcizës së duhanit me disa shtete të rajonit.

Musa tha se nga studimi i MDA-së i përkrahur nga KDI, ka dalë se mbi 10 mijë fermerë vetëm në Gjilan e kanë kultivuar duhanin para viteve 90-ta, të cilët e kanë siguruar mirëqenien e tyre.

Në debat kanë dhënë kontributet dhe rekomandimet e tyre edhe përfaqësues nga shoqëria civile, sikurse edhe ish-kultivuesit e duhanit, të cilët treguan përvojat dhe përfitimet e tyre që i kanë pasur para viteve 90-ta.

Për fund, kryesuesi i Komisionit për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bardhyl Meta, tha se puna që do ta bëjnë në vijim është që ta prekin çdo pjesë, qoftë ajo e infrastrukturës ligjore, qoftë e politikave fiskale dhe aspektet tjera të rëndësishme.

Kthehu mbrapa

Shto koment