Haziri: USAID-i ka ndihmuar në fusha e forma të ndryshme, tani po mbështet Gratë në Biznes

25.11.2014 (komentet: 0)

 

USAID-i Amerikan ka organizuar sot në Gjilan, punëtorinë Gratë në Biznes në të cilin kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëpunëtor, drejtori i USAID-it në Kosovë, Chris Edwards, drejtori i projektit për të drejtat pronësore në USAID, Justin Holl, si dhe gra të interesuara për këtë program, lidhur me kyçjen e tyre në biznes gjatë të ardhmes.

 

Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ky program është një mbështetje e fuqishme e grave të cilat janë të interesuara që të merren me zhvillim të biznesit dhe investime gjatë të ardhmes.

“Ky program është jashtëzakonisht i mirë në përgatitjen e grave që në biznes të hyjnë me një përgatitje më të madhe sa i përket investimeve dhe zhvillimit, të cilën po e ofron USAID-i. Kjo mbështetje e madhe nga ana juaj, na obligon edhe neve si institucione komunale që të merremi me punë shtesë, ngase hapja e një biznesi në Gjilan tashmë ka një kosto zero. Hapja e një biznesi bëhet pa pagesë duke u përcjellë edhe me lehtësira shtesë në këtë drejtim. Mbështetja e USAID-it ishte e vazhdueshme në Gjilan në fusha dhe forma të ndryshme vite me radhë. Gratë në biznes, do të thotë zhvillim ekonomik lokal, por edhe zhvillim të familjeve të tyre dhe punësime të reja normalisht. Nga ky program do të kemi dobi në rend të parë familjet – gratë të cilat do të merren me këtë qëllim, e më pas edhe Komuna si tërësi, sepse përfiton zhvillim ekonomik dhe punësime të reja”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Lutfi Haziri.

Ndërsa nga ana e tij U.D. i drejtorit të USAID-it në Kosovë, Chris Edwards, tha se gratë në biznes është një komponentë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik, por edhe nxitjes së investimeve dhe zhvillimit familjar.

“Gratë në Biznes do të thotë zhvillim ekonomik, zhvillim të familjes dhe sigurisht edhe investime. Ne jemi duke punuar që ekonomia të ketë një zhvillim më të madh. Me Komunën e Gjilanit kemi përvoja përherë pozitive. Angazhimi i qeverisjes lokale këtu, mundëson dhe krijon lehtësira për të bërë biznes. Gratë janë të pritura të investojnë më shumë në familje, në zhvillimin e familjes, rritjen dhe edukimin e fëmijëve e shumëçka tjetër, pra më shumë se burrat. Me gratë në biznes, ne fuqizojmë femrat që ato të jenë të pavarura financiarisht. Crimson Finance Fond, jep hua në mënyrë që të krijohen kushte për të nxitur investime në biznesin lokal dhe normalisht të ndikohet në zhvillimin ekonomik”, ka thënë Edwards.

Ndërsa, drejtori i projektit për të drejtat pronësore në USAID, Justin Holl, bëri të ditur se investimi në pronë është investim dhe mundësi e madhe që të keni një bazë të fuqishme gjatë punës suaj në investime dhe hapat e parë në biznes.

“Gratë në Biznes është mundësi e madhe për të investuar në pronën tuaj. Shfrytzueshmëria e pronës është permanente dhe bizneset që kanë të drejta pronësore, është zhvillim dhe përparësi e madhe ndaj bizneseve të tjera. Ju mund të nisni investimin tuaj si biznese të reja në bujqësi dhe përpunim të ushqimit, prodhim, përpunim të drurit, materiale ndërtimore, teknologji informative dhe komunikim, energji të ripërtërishme dhe efiçiencë të energjisë, shërbime, tregti (shitje me pakicë, shitje me shumicë dhe import / export). Shumat e kredisë janë nga 5 mijë deri në 150 mijë euro. Gjithashtu ky program parasheh edhe kushte dhe produkte të tjera përmes këtij instituti financiar jobankar”, ka thënë ai.

Po ashtu në këtë punëtori janë bërë edhe prezantime të tjera lidhur me të drejtën pronësore, fuqizimin e sektorit privat dhe njoftimin me projektin Avancojmë Kosovën së Bashku.

Kthehu mbrapa

Shto koment