Haziri: Transport falas dhe bursa për nxënësit e shkollës së Agrobiznesit

26.08.2015 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, ka vizituar sot shkollën e mesme të Agrobiznesit “Arbëria” për të parë ecurinë e punëve në vitin e ri shkollor, ku janë pritur nga drejtori Xhelal Jetishi.

 

Drejtori Jetishi e ka falënderuar kryetarin Haziri që ka gjetur kohë për këtë vizitë, derisa e ka njoftuar së pari për përgatitjet që janë duke i bërë për fillimin e vitit shkollor, për vështirësitë, sfidat dhe skseset e kësaj shkolle.

Kryetari Haziri u shpreh se Komuna i ka dhënë statusin e privilegjuar shkollës së Agrobiznesit, duke siguruar bursa për nxënësit e suksesshëm dhe duke ua siguruar edhe transportin falas.

“Shkolla e mesme e Agrobiznesit është njëra nga shkollat që i kemi dhënë status të privilegjuar, që nënkupton se të gjitha profilet që kjo shkollë i ka, duhet të mbushen me nxënës dhe kuadër i ri, i cili është jashtëzakonisht i mirëpritur edhe nga kuadri profesional i kësaj shkolle, por edhe nga tregu i Gjilanit, i cili është tipik agroindustrial e bujqësor. Ne po presim t’i ngrisim kapacitetet në industrinë e duhanit, në industrinë e mishit dhe poashtu jemi regjion kampion në pemëtari. Natyrisht, që kjo shkollë mund të prodhojë kuadro dhe duhet të absorboj sa më shumë nxënës në mënyrë që jenë të përgatitur me kuadro përkatëse për tregun e Gjilanit, Kosovës dhe atë europian”, tha Haziri.

“Unë apeloj që prindërit dhe nxënësit ta vizitojnë këtë shkollë, të bisedojnë me personelin dhe ta shohin si mundësi më të mirë. Kjo shkollë për ne mbetet shkolla më me perspektivë dhe investimi më i madh është që do t’i japim bursa për nxënës e shkollave të mesme dhe kjo po ndodhë për herë të parë. Poashtu, do t’ua sigurojmë edhe transportin në një vijë programore urbane”,  ka shtuar kryetari Haziri.

Drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, tha se kanë nderin që po e vizitojnë shkollën e Agrobiznesit, e cila është më e mira në rajon, me të gjitha pajisjet dhe kabinetet moderne për mësim cilësor properëndimor dhe europian.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment