Haziri paraqet raportin 6-mujor: Standardi i dyfishtë nuk është pjesë e punës sime

09.07.2015 (komentet: 0)

 

 Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur të enjten takimin e radhës, nën drejtimin e kryesueses Valentina Bunjkau-Rexhepi, ku kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka paraqitur raportin 6-mujor, në të cilin pasqyrohen të gjitha aktivitetet, sukseset dhe sfidat e kësaj periudhe.

 

“Duke u bazuar në obligimet e mia ligjore, jam këtu për të paraqitur para jush punën e qeverisjes komunale dhe këtë e kam bërë edhe para shoqërisë civile dhe qytetarëve, në debatin publik të javës së kaluar dhe do të vazhdoj edhe nëpër lagje”, ka thënë kryetari Haziri, duke shtuar se është i gatshëm t`i dëgjojë edhe vërejtjet e KPF-së dhe të mbajë shënime për to.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur akuzave të Bujar Nevzatit (PDK), në drejtim të tij, kryetari Haziri ka thënë se ai është i zgjedhur prej qytetarëve dhe nuk pranon që një këshilltar komunal të sillet kundrejt tij si prokuror, në një seancë të Komitetit për Politikë dhe Financa.

“Shumica e madhe e qytetarëve të Gjilanit e kanë zgjedhur programin tim dhe ky besim duhet të respektohet edhe nga opozita në vendimmarrjen komunale”, ka thënë Haziri, duke shtuar se ligji i jep mundësi atij që të punojë edhe në zyrë.

Duke vazhduar me përgjigje ndaj akuzave tjera të këshilltarit të PDK-së, Bujar Nevzati, rreth ndërtimeve pa leje, zhurmës, pendës dhe shtëpisë së kulturës në Përlpenicë dhe të tjera, Haziri ka thënë se “disa njerëz janë të lindur për të bërë histori, kurse disa të tjerë janë të lindur për të mësuar histori”.

Sa u përket ndërtimeve pa leje, ku Nevzati insistoi më së tepërmi, kryetari Haziri ka thënë se ndërtimet pa leje janë njëri ndër problemet e Gjilanit dhe këtu nuk ka asgjë për të fshehur, por duhet shtuar se ka edhe këshilltarë komunalë, edhe oficerë policie që kanë ndërtuar pa leje.

“Rrënimi i objekteve pa leje do të ndodh, sikurse që do të ndalohet edhe zhurma në qytet”, ka thënë kryetari Haziri, duke rikujtuar se në të shumtën e rasteve janë fëmijë të prindërve të njohur ata që krijojnë zhurmë dhe shtinë me armë në dasma.    

Kurse sa i përket pendës së Përlepnicës, Haziri ka thënë se nuk paraqet asnjë rrezik për banorët dhe ka shtuar se penda është nën përgjegjësinë e Ministrisë dhe jo të Komunës.

Duke kërkuar që të mos personalizohen raportet, kryetari Haziri ka thënë se ky qytet ka më shumë nevojë për punë se sa për fjalë e pallavra dhe si njërën prej punëve të mira, ka përmendur edhe projektin për ndërtimin e çerdhes në lagjen “Dardania 1”, për të cilin USAID-i ka ndarë 200 mijë dollarë dhe nevojitet një participim edhe prej Komunës.

KPF e ka rekomanduar për Kuvend Komunal propozim-vendimin për participim në ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në lagjen “Dardania”, ndërkaq propozim-vendimin për emërtimin e QKMF-së e ka shtyrë për takimin e ardhshëm, shkaku i procedurave.

Përndryshe, raporti i kryetarit të Komunës, i ofruar në formë të shkruar, i përmban në hollësi të gjitha aktivitetet e kësaj periudhe dhe do të diskutohet edhe në Kuvend Komunal, në seancën e ardhshme.      

 

Kthehu mbrapa

Shto koment