Haziri: Kufijtë buxhetorë të përcaktuar nga qeveria janë ‘këpucë të ngushta për qytetarët e Gjilanit’

29.09.2014 (komentet: 0)

 

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i është përgjigjur sot të gjitha pyetjeve dhe kërkesave të këshilltarëve Komunal, kryesisht nga ana e opozitës (PDK-së), në mbledhjen e dhjetë të radhës për vitin 2014.

 

Në fjalën e tij para këshilltarëve komunal, kreu i Gjilanit Lutfi Haziri tha se Administrata e Komunës së Gjilanit është duke i kryer punët sipas ligjeve në fuqi dhe vendimeve të Kuvendit Komunal. 

Haziri ritheksoi se ky mandat dhe kjo administratë është e interesuar që Kuvendi Komunal të jetë organi vendimmarrës në Komunën e Gjilanit, e jo Zyra e kryetarit dhe zyret tjera cfarë ka ndodhur më herët. 

Duke arsyetuar idenë e tij që të dekoncentrohet Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport nga varshmëria e kryetarit të Komunës, kryetari Haziri tha se këta sektorë kështu sic kanë funksionuar deri tash, janë të varur totalisht nga subvencionet që i ndanë Komuna dhe se duhet të gjendet mënyra të pavarësohen financiarisht, t’u ndahet buxhet me kohë dhe të jenë funksionale.

Haziri theksoi se po i përmbushë të gjitha premtimet e tij dhënë qytetarëve të Gjilanit dhe në vitin e parë tashmë po ulet baza e tatimit në pronë.

“Në asnjë vend nuk ka Komunë të pasur, duke i varfëruar qytetarët. Në asnjë vend nuk ka logjikë të mendohet mbushja e arkës së Kuvendit Komunal, duke i tatimuar qytetarët, të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë. Grumbullimi i borxheve për vitet e kaluara për tatim në pronë është aq i lartë që tregon pamundësinë e njerëzve për të paguar për shkak të ngarkesës. Ne kemi punuar në formulën tonë, e cila ka nxjerrë uljen e bazës tatimore. Do të punojmë me qeverinë, cila do që është në të ardhmen që të ulet edhe vlera e tatimit në pronë”, tha Haziri.

“Duhet të gjendet gjithmonë interesi i përbashkët, duke mos e dëmtuar në asnjë rast palën, qoftë ajo ekonomi familjare, apo veprimtari biznesore. Edhe vendimi i ish-kryetarit do të shqyrtohet për të gjitha kategoritë, ku thotë që “nëse e paguan 50 për qind të vlerës së tatimit, do të lejohet shfrytëzimi i drejtave që janë”. Ne jemi të interesuar ta ulim, në mënyrë që qytetari vetë me pagu dhe mos me pasë nevojë për kushtëzime. Në çdo vit fiskal do të ketë ulje, jo vetëm viti 2015. Do të punojmë menjëherë për vitin 2016 dhe do të punojmë edhe me organet shtetërore që edhe normën ta ulim sepse është e pamundshme të përballohet për disa kategori. Ngritja e tatimit është bërë 100 për qind për një vit dhe kjo është e papërballueshme. Nuk e kam ndërmend të ndërmarrë asnjë masë tjetër për qytetarët e Gjilanit, pos t’i lus ta paguajnë borxhin për tatimin në pronë sepse e kanë obligim qytetar. Sa i përket familjeve të dëshmorëve dhe kategorive të tjera, ne e kemi konsideruar edhe mundësinë që t’i lirojmë dhe të krijojmë barazi”, ka shtuar Haziri.

I pari i Komunës së Gjilanit ka theksuar se kufijtë buxhetorë që Ministria e Financave i ka përcaktuar për Komunën e Gjilanit janë të përballueshme, duke i cilësuar si “këpucë të ngushta për qytetarët e Gjilanit”.

“Këta kufij buxhetor të përcaktuar nga Ministria e Financave nuk janë të përballueshme dhe të nevojshme dhe janë ‘këpucë të ngushta për qytetarët e Gjilanit’. Fjalën tonë për sa i përket buxhetit e ka prerë kjo qeveri. I ka hequr më shumë se 4 milionë prej buxhetit. Ne nuk kemi lypë mjete shtesë nga qeveria, e as dëmshpërblim, por kemi thënë që Gjilanit i duhen minimalisht edhe mbi 4 milionë, në mënyrë që vitin 2015 ta përballojmë shkaku i borxheve, ndërsa në vitin 2016 një rritje graduale. Në këtë mënyrë, do të normalizohej buxheti me kërkesat e Gjilanit. Por, kush është kjo qeveri që edhe në dorëheqje tash, që prenë fjalët e Kuvendeve Komunale?”, ka vlerësuar kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.  

/kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment