Haziri: Dëshmorët u sakrifikuan për lirinë e shqiptarëve

14.01.2015 (komentet: 0)

 

Ka nisur sot në Gjilan manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2015”, i cili mbahet për herë të 24-të, i cili mbahet për herë të 24-të në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të historisë shqiptare, të rënë përgjatë rrugëtimit të gjatë për liri e mëvetësi kombëtare.

 

Ky manifestim ka nisur me vizitën e kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri me bashkëpunëtorët, përfaqësuesit e institucioneve të shtetit dhe përfaqësuesit e konfesioneve fetare në Gjilan, në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku janë pritur dhe falënderuar nga komandanti Haki Xhemaili.

Më pas, Haziri, i shoqëruar nga kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi dhe bashkëpunëtorët tjerë, kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve, duke vlerësuar se në këtë vend pushojnë ata që e kanë dhënë jetën për lirinë e shqiptarëve kudo që janë.

Koha që edhe Idriz Seferi dhe bashkëluftëtarët e tij të pushojnë tek varrezat e dëshmorëve

“Me këto aktivitete shënojmë ditën e parë të manifestimit “Flaka e Janarit 2015” dhe respektojmë vlerat më të mëdha që Gjilani i ka dhënë, jo vetëm për Anamoravë, por edhe për Kosovë për Shqipëri dhe të gjitha ato përpjekje janë sublimuar. Këtu pushojnë ata që e kanë dhënë jetën në luftë drejtpërdrejt për të realizuar një qëllimin – lirinë e shqiptarëve kudo që janë”, është shprehur Haziri.

Kreu i Gjilanit tha se është koha që edhe Idriz Seferi, bashkëluftëtarët e tij dhe dëshmorët tjerë, të pushojnë tek varrezat e dëshmorëve dhe nderi e respekti të bëhet për të gjithë.

Me këtë rasti, kryetari Lutfi Haziri tha se projekti i rregullimit të varrezave të qytetit përfundimisht do të kryhet në verën e këtij viti.

“Dua të konfirmoj se për hir të respektit ndaj dëshmorëve dhe heronjve, varrezat e dëshmorëve do rregullohen përfundimisht, që sic e dimë është vonuar për shkak të problemeve ligjore. Në verën që po vije ky projekt do të përfundohet dhe këtë do ta bëjmë për të gjallët, për gjeneratat që vijnë këtu, që gjunjëzohen para veprave të mëdha të dëshmorëve”, tha ai, për të vazhduar me homazhe tek lapidarët e dëshmorëve: Agim Ramadani, Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe Alban Ajeti.

Bunjaku Rexhepi: Gjilani, Kosova dhe shqiptarët, kudo që janë, sot janë bërë bashkë për të nderuar dëshmorët e kombit

Manifestimi i sivjetmë “Flaka e Janarit 2015”, ka vazhduar me një pritje për familjet e dëshmorëve, ku kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka shprehur respektin e institucioneve komunale për këto familje dhe veprën e bijve dhe bijave të tyre, të cilët janë më meritorët për lirinë e Kosovës.

Manifestimi “Flaka e Janarit” është sinonim i respektit dhe nderit për familjet e dëshmorëve dhe veprat e tyre të mëdha, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.

Duke qenë se manifestimi i sivjetmë “Flaka e Janarit 2015” përkon me përvjetorin e masakrës së Gjilanit, një ngjarje kjo që dëshmon se shqiptarët kanë bërë një rrugëtim të gjatë dhe me plot dhembje deri në ditët e sotme, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se para 70-vitesh, më se 8 mijë persona u sakrifikuan për lirinë që ne po gëzojmë tani.

“Heronjtë, dëshmorët dhe martirët dhanë jetën për një ideal të madh dhe ata na ftojnë me amanetin e tyre që ne të jemi gjithmonë bashkë, që të jemi në një rrugë si komb, ashtu siç e kanë imagjinuar ata, që të jemi një komb vërtet me vlera civilizuese, duke ecur drejt zhvillimit dhe integrimit në Evropë”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.

Ajo e ka mbyllur fjalën e saj të rastit në pritjen e organizuar për familjet e dëshmorëve, që tashmë është pjesë e kalendarit të manifestimit “Flaka e Janarit”, duke thënë se Gjilani, Kosova dhe shqiptarët, kudo që janë, sot janë bërë bashkë për të nderuar dëshmorët e kombit dhe sakrificën e tyre.

Ndryshe, në mbrëmje do të ndizet edhe flakadani, si simbolikë e përpjekjeve shekullore shqiptare, për liri e mëvetësi, të cilën nuk e shuan dot as janarët e acartë të këtij rrugëtimi historik./kokaj.net/

 

Kthehu mbrapa

Shto koment