Haziri: Çorba është ‘zier’ në Gjilan!

29.09.2016 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, u është përgjigjur të gjitha interesimeve të asambleistëve të opozitës, lidhur me ndryshimet në statutin e Komunës, sikur edhe rreth aktakuzave të fundit të prokurorisë ndaj ish-udhëheqëve komunalë dhe pretendimet e prokurorit ndaj kontratës së parkingjeve.

 

 

“Sa i përket aktakuzave, është lajm dhe kronikë e zezë për Gjilanin, pasi qyteti jonë është njohur gjithmonë si qytet i paqes, i qetë dhe qytet në të cilin nuk ka krim. U bënë gati tre vite dhe asnjë vrasje për motive të ulëta dhe politike. Pretendimet e prokurorit kundër meje në rastin e kontratës së parkingjeve, i njejti organ i ka hudhur si të pa baza më herët, por kjo është rikthyer me denoncim të grupit të këshilltarëve të PDK-së në emër të Riad Rashitit. Pretendimi në këtë rast është i paragjykuar”, tha Haziri.

 

“Sa i përket vetës sime, unë e them publikisht që çfarëdo që vendosë gjykata unë i përgjigjem plotësisht verdiktit dhe vullnetit të tyre. Por, ajo që dua të them është se nuk është duke ‘zier’ çorba askush në Prishtinë për Gjilanin, por përkundrazi çorba është zier në Gjilan. Gjithmonë është ajo që thotë populli, por që Beqir Musliu më së miri e ka përshkruar në librin e tij që ka të bëjë më përshkrimin e njerëzve të Anamoravës, e ka thënë se ‘njerëzit e Anamoravës e kanë durimin deri në qiell, por e sosin jorganin për një plesht”, tha Haziri.

 

“Ndërkaq, pretendimet e prokurorit për krim të organizuar si vepër karshi ish-kryetarit dhe 39 zyrtarëve tjerë është shqetësim dhe është aktakuzë që peshon. Konfirmoj publikisht se sa i përket aktakuzës ndaj ish kryetarit, asnjë letër dhe asnjë dosje nuk ka shkuar në prokurori as prej meje, e as nga stafi im. Nëse e gjenë dikush që një drejtorë i Komunës e ka inicuar këtë punë, unë japë dorëheqje. Ju lutem, mos i politizoni rastet, por t’i lëmë gjykatat që të bëjnë punën e tyre”, theksoi kryetari i Gjilanit.

 

“Unë kam kërkuar interpretim në zyrën ligjore në qeveri sepse mungesa e 30 personave në administratë është shumë e madhe, në mënyrë që ta gjejmë një zgjidhje për ta përballuar situatën. Shërbyesit civil që kanë aktakuza, sipas ligjit do të suspendohen me 50 për qind të pagesës pasi të kemi pranuar aktakuzat nga prokuroria. Të gjithë duhet të trajtohen si të pafajshëm, derisa gjykata nuk e thotë të kundërtën”, ka thënë, ndër të tjera, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit.

 

Përndryshe, kryetari Haziri ka folur edhe për protestën e sotme të punëtorëve të kompanisë “Ecohigjiena”, duke thënë se është angazhuar drejtpërdrejt në zgjidhjen e problemeve të tyre.

 

“Protesta e sotme e punëtorëve të kompanisë “Ecohigjiena” është bërë për të sensibilizuar Kuvendin Komunal sepse ata për çdo ditë protestojnë një orë dhe ne çdo ditë kemi takime pune me këshillin e punëtorëve. Unë jam duke punuar drejtpërdrejt edhe me kryetarin e bordit dhe aksionarin e madh të kompanisë në mënyrë që t’i zgjidhim problemet e menaxhmentit dhe kompanisë”, ka thënë Haziri.

 

Ndërsa, duke folur për ndryshimet e statutit, kreu i gjilanasve ka pohuar se pritjet e NJKRS-së kanë qenë më të mëdha se rezultatet e deritanishme, derisa për Drejtorinë e Inspeksionit tha do të funksionoj pa inspektorët e ndërtimit, pasi këta të fundit janë të obliguar me ligj të mbeten ne resorin përkatës.

 

“Ndryshimi i statutit nuk ka të bëj as me kërkimfalje, dështim e kataklizma. Sa i përket Njësisë për Kulturë, Rini dhe Sport, pritjet kanë qenë më të mëdha sepse kam dashur ta dekoncentroj detyrën dhe buxhetin për ta, ua kemi dhënë mundësinë gati dy vjet dhe dua të them se nuk po mund të dalin nga shablloni i vjetër sepse është shkaktuar varshmëri kronike në subvencion. Ndërkaq, te inspeksioni, ligji e thotë që inspektorët e ndërtimit duhet të jena brenda resorit përkatës, pra urbanizimit dhe unë këtë do ta respektoj”, u shpreh Haziri.

 

Ndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit po i vazhdon punimet me pika të rëndësishme të rendit të ditës.

Kthehu mbrapa

Shto koment