Haziri: Arsimi prioriteti i parë dhe më i madhi në qeverisjen time

23.01.2014 (komentet: 0)

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar sot Drejtorinë Komunale të Arsimit, ku është pritur nga drejtori i sapoemëruar Nazmi Musa, i cili e ka informuar mbi gjendjen në të cilën është kjo drejtori dhe tri nivelet e shkollimit në Gjilan.

 

Me këtë rast, drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, ka falënderuar kryetarin për nderin dhe respektin që i është bërë atij me emërimin në këtë institucion të rëndësisë së veçantë. 

“Me gjithë kapacitetin, dijen dhe përvojën që kam, ju garantoj se nuk do të kursehem në asnjë moment dhe do të punoj me energjinë më të madhe të mundshme për të mirën e arsimit në Gjilan. Kemi shumë sfida, ka shumë probleme të trashëguara, por bashkërisht me punëtorët e drejtorisë do të jem përgjegjës dhe do t’ia dalim ti zgjidhim të gjitha këto”, ka thënë ndër të tjerash Musa. 

Ndërsa nga ana e tij kryetari Haziri, ka uruar edhe njëherë drejtorin për detyrën e re, duke i ofruar mbështetjen e tij maksimale si i pari i Komunës.

“Arsimi është prioriteti më i madh gjatë qeverisjes time në krye të Komunës. Bashkërisht do t’i zgjidhim të gjitha problemet e grumbulluara dhe pastaj do ta realizojmë gjithë programin për arsimin, me të cilin kemi marr besimin e qytetarëve të Gjilanit. Duhet të bëjmë zgjidhje edhe për institucionet parashkollore dhe sektorët e tjerë brenda Komunës. Përkrahja ime do të jetë e vazhdueshme. Do të jem përherë pranë kërkesave tuaja, që secilin problem ta zgjidhim së bashku”, ka potencuar kryetari Haziri. 

Kthehu mbrapa

Shto koment