Haziri apelon qytetarët të paguajnë borxhet e tatimit në pronë për të përfituar nga amnistia

25.11.2015 (komentet: 0)

 Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i shoqëruar edhe nga Task Forca për grumbullimin e borxheve, së bashku me drejtorin e Financave, kanë bërë publike detajet e fazës së parë për faljen e borxheve për qytetarët të cilët janë borxhlinjë ndaj Komunës së Gjilanit në kategorinë e Tatimit në Pronë.


Me këtë rast kryetari Haziri, ka thënë se prej rreth 9 milionë eurove që janë borxhe ndaj Komunës, mbi 5 milionë do t’u falen qytetarëve, por këto kushtëzohen me pagesën e pjesës së mbetur të borxhit nga 2009 deri në vitin 2014.

“Sot paraqesim kategorinë më të rëndësishme ne Komunë, që është tatimi në tronë. Jemi këtu bashkë me Task-Forcën për grumbullimin e borxheve, në mënyrë që bashkë me qytetarët dhe me bizneset për të rifilluar inkasimin e mjeteve në tatimin në pronë, duke aplikuar amnestinë, ndaj të gjitha atyre kategorive, që ligji tashmë i lejon. Poashtu, informoj se kam suspenduar një vendim të ish-kryetarit, ku parashihej pagesa për 50 % të obligimeve, si kushtëzim i pjesshëm. Suspendimi i këtij vendimi nënkupton që tash e tutje nënshtrohemi sipas rregullave të amnestisë së borxheve”, ka thënë, kryetari Haziri, duke i lutur qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë ligjore, që Komuna e Gjilanit e zbaton pas vendimit të qeverisë.

Masa e fundit e jona që do të aplikohet janë edhe përmbaruesit, ka thënë kryetari Haziri, por sipas ligjit ka afat ende deri në këtë veprim.

Haziri ka apeluar te qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë ligjore, sepse 2/3 e borxheve falen, por në rast se qytetarët hyjnë në marrëdhënie kontraktuale me Komunën e Gjilanit, do të falen edhe ndëshkimet dhe kamatat, të cilat kanë specifikat e veta.

Ndërsa, Drejtori i Financave, Zijadin Maliqi, ka dhënë detajet e borxheve të deritanishme në kategorinë e faljes së borxheve në tatimin në pronë, por edhe detaje të tjera konform ligjit që të përfitojnë të gjithë ata që janë të interesuar për përfitim nga kjo amnesti.

“Tatimpaguesit e Komunës së Gjilanit kanë mundësi shumë të mira të përfitimit nga ligji për faljen e borxheve. Janë dy forma të përfitimit nga falja e borxheve. Forma e parë është pagesë e përnjëhershme dhe e dyta është formë e marrëveshjes kontraktuale me Komunën e Gjilanit, ku personat fizik mund të bëjnë pagesën deri në 18 këste, ndërsa për personat juridik deri në 12 këste. Në formën e parë tatim paguesi lirohet nga ndëshkimet dhe kamatat, por duhet të bëjë pagesën e borxhit total deri në fund të vitit 2014, edhe për periudhën 2009-2014, falen ndëshkimet dhe kamatat, gjithnjë në rastin se kjo pjesë e obligimeve paguhet përnjëherë. Ndërsa, në formën e dytë me këste, falën ndëshkimet deri në vitin 2008, por jo edhe kamata. Por, në rast se pala nënshkruan marrëveshje dhe nuk i përmbahet asaj, atëherë, gjendja kthehet në fillim”, ka thënë Maliqi, duke potencuar se borxhet janë 8 milionë e 470 mijë euro, ndërsa sipas ligjit falen 5 milionë e 570 mijë euro, kurse mbeten për inkasim 2 milionë e 900 mijë euro.

Kthehu mbrapa

Shto koment