Grabitje me armë në Gjilan, tre të plagosur – një i arrestuar

21.07.2016 (komentet: 0)

 

 

Një grabitje me armë ka ndodhur sot në një pompë të benzinës në komunën e Gjilanit. Dy të dyshuarit janë përballë me banorët dhe tre prej këtyre të fundit mbetën të plagosur. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes në proces e sipër, dhe ka arritur të arrestojë njërin nga grabitësit, derisa tjetri ka ikë.

 

Policia e Rajonit të Gjilanit ka marrë informatën kur grabitësit ishin në proces e sipër, të cilët janë përballur edhe me qytetarët.

“Me 21 korrik 2016 rreth orës 14:00, Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar një informatë se te pompa e benzinës në fshatin Shillovë është një grabitje në progres dhe se të dyshimtit janë të armatosur, dhe pas rezistencës së qytetareve, ka edhe  të shtënat me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policët kanë reaguar menjëherë dhe në vendin e ngjarjes kanë arritur të arrestojnë njërin nga të dyshimtit, i cili është shtetas i Kosovës i nacionalitet serb, ndërkaq i dyshimti tjetër, i njohur për Policinë ka arritur të ikë me një motoçikletë.

Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes është gjet një armë, megjithëse nuk specifikohet lloji i saj.

“Policia e Kosovës në kërkim për të dyshimtin e dytë në afërsi të fshatit Shillovë kanë gjetë edhe motoçikletën me të cilën besohet se ka ikë njëri nga të dyshimtit”, vazhdon tutje njoftimi.

Në këtë ngjarje janë lënduar edhe disa persona nga ana e banorëve të cilët reaguan kundër grabitësve. Tre qytetarë serbë janë plagosur nga arma e zjarrit. Ata tani po trajtohen në spitalin Rajonal të Gjilanit, ndërkaq njësitet relevante të Policisë janë duke u marrë me rastin.

Kthehu mbrapa

Shto koment