A është Thaçi jabanxhi ?!

29.09.2014 (komentet: 0)


Kuvendi Komunal i Gjilanit në seancën e sotme, për pak qaste e ka harruar rolin e saj për t’u marrë me çështjet që i takojnë, por është marrë me atë se a është apo jo, kryeministri aktual i Kosovës, njëherësh lideri i PDK-së, Hashim Thaçi jabanxhi, apo jo, për Gjilanin.

Në fakt, shprehjen jabanxhi për të, e ka përdorur LDK, gjatë zgjedhjeve, konkretisht ish kandidati i LDK-së për kryetar komune Lutfi Haziri, aktualisht kryetar i Komunës së Gjilanit, për të aluduar në atë se ai për Gjilanin është i huaj, por edhe po e trajton Gjilan si të huaj.
Në fakt, kjo edhe i kishte “dhezë” Hazirit te simpatizantët e LDK-së dhe se kjo pastaj ishte futur si shpesh në përdorim në fjalorin e kryetarit Haziri.
Ndërkohë, që në seancën e sotme ishte këshilltari i PDK-së Riad Rashiti ai i cili “provokoi” situatën duke thumbuar Hazirin rreth kësaj shprehjeje. Rashiti duke folur për një ekskursion të nxënësve, ku sipas tij, ka pas parregullsi, pasi për faj të komunës janë “konfrontuar“ dy kompani transporti, njëra nga Gjilani e tjetra nga Prizreni, në lidhje me atë se kush duhet t’i dërgojë nxënësit, në ekskursion, ndër tjerash, tha edhe se ka fituar një kompania jabanxhi duke aluduar në atë nga Prizreni.
Nga ana e tij, kur fjalën e mori kreu i komunës Lutfi Haziri, ai ka rikujtuar se ka qenë një kryejabanxhi që është mundur keq në Gjilan dhe se nga ajo kohë nuk ka qenë më në Gjilan, së paku zyrtarisht jo, dhe se sipas Hazirit, ai ka shumë borxh kësaj ane, duke aluduar kështu në Hashim Thaçin.
Kjo, pastaj ka nxitur reagimin e këshilltarit të PDK-së Izmi Zeka, i cili i ka thënë kryetarit Haziri, se Hashim Thaçi nuk është as kryejabanxhi e as jabanxhi por është kryeministër i Republikës së Kosovës.
Zeka, ka thënë se edhe në këto momente, ai vazhdon të jetë kryeministër, sikurse se Gjilani që është pjesë e Kosovës, andaj ai nuk mund të quhet jabanxhi dhe për këtë ka kërkuar nga Haziri që të këtë kujdesin me fjalorin e tij.
Zeka ka thënë se Thaçi është njeriu që po e udhëheqë qeverinë e vendit dhe se nuk duhet të dëgjojmë kësi fjalori.“Edhe në Gjilan, nën drejtimin e tij, janë bërë më se 90 milion investime përgjatë qeverisjes së PDK-së”, ka shtuar Zeka, për të pyetur Hazirin se çfarë ka bërë ai, deri më sot, si kryetar i komunës. /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment