Turqia bllokon qasjen në Twitter, “mbron privatësinë” e përdoruesve

21.03.2014 (komentet: 0)

Gjykatat e Turqisë e kanë bllokuar qasjen në rrjetin social Twitter vetëm disa ditë para zgjedhjeve, ndërkohë që kryeministri turk Taip Erdogan po lufton me një skandal korrupsioni, i cili është shpërndarë tepër shumë në rrjetet sociale, ku janë postuar dëshmi për keqmenaxhim në qeverisje.

Vendimi për ndalimin e qasjes në rrjetin social Twitter erdhi vetëm disa orë para fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 30 mars, ndërsa Erdogan u zotua që ta "fshijë” Twitter-in duke thënë se ai nuk mërzitet për atë që do të thotë bashkësia ndërkombëtare në lidhje me këtë vendim.

Partia në pushtet e Erdogan, AK, së fundmi e ka forcuar kontrollin në internet, ndërsa vendimeve të qeverisë turke i janë dorëzuar edhe gjykatat, ndërsa ajo po lufton me një skandal të madh të korrupsionit, për të cilin kryeministri turk ka thënë se është një komplot nga ana e armiqve politikë të tij, me qëllim rrëzimin e tij nga pushteti.

Agjencia mbikqyrëse e telekomunikacionit, BTK tha se e ka bllokuar qasjen në rrjetin social bazuar në vendimin e marrë nga gjykatat, pas ankesave që janë bërë nga qytetarët për shkeljen e privatësisë.

Rregullatori tha se Twitter i kishte injoruar kërkesat e mëparshme për ta hequr përmbajtjen e kërkuar nga faqja e saj.

"Për shkak se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, qasja në Twitter u bllokua në përputhje me vendimet e gjykatës për të shmangur viktimizimin e mundshëm të qytetarëve, i cili do të ndodhte në të ardhmen," thuhet në deklaratën e rregullatorit të telekomunikacionit. /Kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment