PËRSE GJITHÇKA PRISHET SAPO TË SKADOJË GARANCIA

18.05.2013 (komentet: 0)

Ajo për çka është spekuluar për vite, se prodhuesit kanë mundësi që të programojnë saktësisht jetëgjatësinë e një produkti, kohë më parë është konfirmuar edhe zyrtarisht.

Gazeta franceze ‘Le Monde’ ka botuar një raport të "Qendrës Europiane të Konsumatorit", hetuesit e së cilës janë kategorikë në pohimin se produktet e sotme shtëpiake apo elektronike qëllimisht prodhohen me jetëgjatësi të shkurtuar.

Në raportin "Dekompozimi i programuar - një produkt i shoqërisë konsumuese" përmenden raste të shumta kur konsumatorët blejnë një produkt për të cilin paraprakisht dihet se kur do t’i vije fundi. Sipas raportit, njëri nga rastet është ai i makinave të reja për larjen e rrobave, të cilat janë programuar për të përballuar 2000-2500 përdorime. Ngjashëm është puna edhe me gjeneratat e reja të televizorëve, të cilët janë të ‘programuar’ që të punojnë deri në 20,000 orë.

"Kazanët [e rrobalarëseve] gjithnjë e më shpesh po bëhen nga plastika, e jo nga inoksi, gjë që automatikisht nënkupton se edhe i gjithë mekanizmi do të zgjas më shkurt”, thuhet në raportin e “Qendrës Europiane të Konsumatorit", në të cilin ngritet dyshimi se shkurtimi jetëgjatësisë së prodhimeve në Europë planifikohet qëllimisht, për t’i shtyrë konsumatorët që “t’i vizitojnë” më shpesh dyqanet. Më së shpeshti bëhet fjalë për ndonjë "gabim funksional" të një produkti. E kur të dështojë cilado pjesë, atëherë nuk punon – për shembull - e tërë makina për larjen e enëve ose të rrobave, apo hekuri. E njëjta gjë vlen edhe për gati të gjitha produktet elektrike dhe elektronike – si për televizorët, telefonat celularë, kompjuterët ...

Ekspertët pohojnë se, kjo dukuri quhet "gabimi i programuar i ekspertëve”, dhe ai është i pranishëm tash e shumë vite. Secilit produkt i testohet qëndrueshmëria, dhe, nëse bëhet fjalë për produkte mekanike, ky testim bëhet për një numër të caktuar të orëve, të cilat duhet t’i përgjigjen afatit të garancisë. E njëjta gjë vlen edhe për elektronikë, ku (dhe ky është një sekret publik) shumë shesh inkorporohet edhe një gabim softuerik. Për këtë shkak, shumë shpesh ndodhë që, edhe pse një pajisje e caktuar duket krejtësisht në rregull, ai punon saktësisht aq sa prodhuesi jep përgjegjësi për riparimin e tij.

Sipas mediave të huaja, një rrëfim në vete është ai që ka të bëjë me telefonat celularë (posaçërisht me ata që njihen si smartphones), të cilët po ashtu “vuajnë” shumë shpesh nga "gabimet funksionale". Pajiset e tyre shtesë pas një kohe është e pamundur të gjinden në treg, sepse ato më nuk prodhohen, përderisa për aplikacionet më të reja ju duhet ta keni modelin më të fundit të një smartphone’i.

Në fund, Qendra Europiane e Konsumatorit i bënë apel përgjegjësve në Bashkimin Europian që të merren shumë më seriozisht me këtë problem, duke kërkuar një legjislacion shumë më të ashpër ligjo sa i përket ciklit jetësor të një produkti. Një projektligj të tillë në BE e ka paraqitur edhe Partia Ekologjike Europiane.

Në çka duhet pasur kujdes para blerjes

Meqenëse, në rast të prishjes së pajisjeve teknike, vënia e drejtësisë në vend nga konsumatorët është shumë e vështirë, do të ishte mirë që ata të përqendroheshin në disa detaje para blerjes së tyre. Në këtë kontekst Qendra Europiane e Konsumatorit sugjeron që konsumatori të ketë kujdes se çfarë, ku dhe si blen.

Në përzgjedhjen e produkteve që njihen si teknikë e bardhë zakonisht ndikojnë disa faktorë. Më të shpeshtët janë çmimi, kualiteti, mundësia e pagesës në këste, afati i garancisë, por edhe ndonjë aksion i shitësve.

Për këtë arsye, për një blerje të sigurt do të duhej të ndahej më tepër kohë, sepse kjo gjë do të mund t’i parandalojë problemet e mundshme pas blerjes. Në shitore, nga shitësi gjithnjë mund ta kërkoni letër-garancinë, të cilën do ta analizoni para blerjes. Nga ana tjetër, nga shitësi mund të kërkoni që t’ua sqarojë disa detaje, të cilat më vonë mund të rezultojnë shumë të rëndësishme, si për shembull:

- Me çka saktësisht ndërlidhet periudha e garancisë dhe garancia në përgjithësi (sa është periudha e garancisë së aparatit, e sa ajo e pjesëve);

- Brenda sa kohe mund ta ktheheni aparatin dhe t’iu kthehen paratë, dhe a nevojitet ndonjë arsyetim i shkaqeve që ju shtynë ta ktheni atë aparat:

- Çfarë ndodhë nëse me rastin e përdorimit të parë rezulton se aparati nuk punon (zgjidhja më e mirë është që aparati t’iu ndërrohet me një tjetër);

- Cila është procedura në rast të prishjes së tij brenda periudhës së garancisë;

- Në çfarë mënyre mund të dëshmoni se aparati nuk është prishur për shkak të përdorimit jo të duhur;

- Cili është afati maksimal për riparimin e aparatit brenda periudhës së garancisë, gjegjësisht si e interpretojnë ata fjalinë “brenda një afati të arsyeshëm ligjor”;

- Çka ndodh pas skadimit të periudhës së garancisë (për sa kohë është i obliguar importuesi që të sigurojë pjesë rezervë, dhe cilat janë serviset e autorizuara).GAZETA EXPRESS

Kthehu mbrapa

Shto koment