ZVICRA, KUNDËRSHTAR I ZAKONSHËM

17.08.2012 (komentet: 0)

Për dallim prej pesë futbollistëve shqiptarë të Zvicrës, të cilët me emocione të përziera po e presin takimin e tyre me Kombëtaren e Shqipërisë, lojtarët e kësaj të fundit janë më të qetë para kësaj sfide. Kapiteni i kuqezinjve, Lorik Cana thotë se Zvicra duhet të trajtohet njësoj si çdo kundërshtar tjetër.

Derisa Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi me emocione të përziera po e presin takimin ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin ‘Brazili 2014’ – emocione të tilla nuk kanë kuqezinjtë, ani pse do të luajnë kundër pesë bashkëkombësve të tyre që dy t’i mbrojnë ngjyrat e një shteti tjetër.

Kapiteni i kuqezinjve, Lorik Cana thotë se Shqipëria duhet ta trajtojë Zvicrën si çdo ekip tjetër kundërshtar, ani pse në radhët e tyre helvetikët do t’i kenë pesë lojtarë shqiptarë.

“Mua më intereson pak, ose aspak, ajo çka ndodh te Zvicra. Edhe pse aty ka lojtarë nga Kosova, kur t’i kemi përballë do t’i trajtojmë si kundërshtarë dhe kaq”, ka deklaruar mesfushori i Lazios.

Siç dihet, ‘pesëshja’ shqiptare e Zvicrës qysh tash ka rënë në siklet se si të sillen kur para fillimit të përballjes do të lëshohen himnet kombëtare të të dyja vendeve. Madje, Xhaka ka thënë se nuk do ta këndojë asnjërin himn.

Cana është shprehur sikurse i vjen keq për pozitën në të cilën gjendet pesë bashkëkombësit e tij te Zvicra. Kosovari ka thënë se që të pestët ata duhet të respektohen nga opinioni shqiptar, sepse në fund të fundit edhe ata janë shqiptarë.

“Nuk di se çfarë të them, gjithsesi duhet të kuptojmë se edhe pse luajnë për një komb tjetër, ata në fund të fundit janë shqiptarë, sikurse ne, andaj duhet kuptuar edhe ky aspekt i rëndësishëm”, ka theksuar ai.

Këto komente Cana i ka bërë për mediat shqiptare, pas miqësores Shqipëri – Moldavi (0:0). Ky ishte testi i fundit për ekipin e Gianni De Biasit, para fillimit të eliminatoreve për ‘Brazilin 2014’.

Siç dihet, Shqipëria, kualifikimin në ‘Brazili 2014’ do ta kërkojë në Grupin E, përballë Norvegjisë, Sllovenisë, Zvicrës, Qipros dhe Islandës.

Ndeshjen e parë kualifikuese ekipi shqiptar do ta zhvillojë si vendas më 7 shtator ndaj Qipros, derisa vetëm katër ditë më vonë, Kuqezinjtë do të jenë mysafirë të Zvicrës, duel ky që ka ngjallur interesimin e opinionit shqiptar e atij zviceran dhe më gjerë, pikërisht për faktin se për helvetikët do të luajnë pesë shqiptarë për herë të parë ndaj Shqipërisë.

Kthehu mbrapa

Shto koment