YJET ZBRESIN NË PRISHTINË

10.06.2013 (komentet: 0)

Yjet e futbollit shqiptar do të zbresin në kryeqytet të shtunën, për ta zhvilluar një ndeshje revyale me FC Prishtinën. Cana, Behrami, Shaqiri, Xhaka, Xhemajli, Curri, Berisha e Kuqi, do të jenë disa nga ‘legjionarët’ që pritet të dhurojnë spektakël në stadiumin e Prishtinës më 15 qershor. Presidenti i bardh e kaltërve, Remzi Ejupi premton se ky eveniment, që organizohet për ditën e çlirimit të Prishtinës, do të jetë tradicional.

Yjet e futbollit shqiptar që luajnë në liga të ndryshme botërore do të bëhen bashkë më 15 qershor në Prishtinë, për ta zhvilluar një ndeshje revyale.

Mbi 30 futbollistë ‘legjionarë’ do ta përbëjnë ekipin e Yjeve të futbollit shqiptar në Evropë dhe botë, i cili do të përballet me FC Prishtinën në stadiumin e kryeqytetit këtë të shtunë, duke filluar nga ora 20:00, për të dhuruar spektakël të vërtetë të futbollit, që ka munguar në vendin tonë kohëve të fundit.

Siç njofton presidenti i klubit bardh e kaltër, Remzi Ejupi, shumica e futbollistëve të ftuar e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, në ndeshjen që zhvillohet për ditën e çlirimit të Prishtinës.

“I kemi ftuar mbi 40 futbollistë, ndërsa 90 për qind e tyre e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë spektakël të futbollit. Krejt ata futbollistë që luajnë në diasporë janë të mirëseardhur të na kontaktojnë dhe të na bashkëngjiten, pasi ka mundur të jetë ndonjë lëshim, që nuk e kemi ftuar ndonjë lojtar pa dashje, e që na vjen keq”, theksoi Ejupi për Express.

“Synim yni është që t’i kthejmë kujtimet kur mbushej stadiumi dhe kur luanin yjet e futbollit në Kosovë. Pra, do të jetë një festë dhe e kemi ndërmend që një eveniment të tillë ta bëjmë tradicional”, vijoi ai.

Sipas organizatorëve të kësaj ngjarjeje, kjo ndeshje e futbollit i dedikohet rinisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë shërben si mesazh për instancat ndërkombëtare si thirrje për pranimin sa më të shpejtë të futbollit kosovar në organizatat ndërkombëtare.

Lorik Cana, Granit Xhaka, Valon Behrami, Etrit Berisha, Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri, Agon Mehmeti, Alban Meha, Anel Raskaj, Ardian Gashi, Armend Dallku, Blerim Xhemajli, Asdren Llullaku, Debatik Curri, Besart Berisha, Shefki Kuqi, Fatos Beqiraj, Ilir Azemi, Ilir Berisha, Kristian Nushi, Migjen Basha, Vullnet Basha, Samir Ujkani e Përparim Hetemaj, janë disa nga emrat që do të zbresin në fushë të shtunën, për të dhuruar spektakël në një ndeshje të paharrueshme për publikun kosovar, i cili pritet të jetë i pranishëm në mënyrë masovike në stadium.

Kthehu mbrapa

Shto koment