Xhaka mund t’i bashkohet Kosovës, por jo për miqësore

06.03.2014 (komentet: 0)

Granit Xhaka, futbollisti i njohur shqiptar që luan për Zvicrën, thotë se është ende herët për të folur nëse do t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës, derisa Kosova ende nuk është pranuar me të drejta të plota në FIFA.

Në një intervistë për portalin Albinfo.ch, Xhaka ka thënë se tani për tani nuk shtrohet kjo temë, pasi Kosova aktualisht mund të luajë vetëm lojëra miqësore. “Ne për lojëra miqësore nuk mund të ndërrojmë ekipin, përkatësisht nuk na lejohet”.

“Me thënë të drejtën ne as nuk na ka kontaktuar kush nga federata e atjeshme, sigurisht edhe duke dashur të mos na prishin punë”, ka shtuar ai.

Xhaka thotë se i është mirënjohës Zvicrës për të gjitha, por Kosovën nuk e harron kurrë dhe nëse Kosova pranohet me të drejta të plota, atëherë mund ta rishikojë vendimin.

“Jam i lindur në këtë vend, këtu e kam kryer shkollimin, kam mësuar lojën e futbollit dhe jam bërë ky që jam. Ndërkohë vendin tim, Kosovën, nuk e harroj kurrë dhe jam shumë i lidhur me të. Por, siç e thashë, angazhimi për Kosovën në këtë fazë, nuk është temë. Nëse Kosova pranohet me të drejta të plota si anëtare e FIFA-s, atëherë mund ta rishikoj pozicionin tim”, tha mes tjerash Xhaka.

Xhaka në raste të ndryshme ka bëre deklarata të forta lidhur me kritikat e bëra nga qarqe të ndryshme në Kosovë e në Shqipëri për zgjedhjen e tij për të luajtur për Zvicrën e jo për Shqipërinë.

Se si ndjehet një i ri sikur ai në fushë tensionesh, në mes dy zjarresh, Xhaka tha se periudha kur ka luajtur kundër Shqipërisë, nuk ka qenë aspak e lehtë, jo vetëm për, futbollistët shqiptarë të Zvicrës, por edhe për familjet e tyre.

“Të luash në Zvicër dhe të dëgjosh fishkëllimat e 13 mijë shqiptarëve kundër teje, nuk është aspak ndjenjë e mirë. Por tash, pasi që Kosova e fitoi të drejtën për të zhvilluar ndeshje miqësore në kuadrin e FIFA-s, ky presion ka rënë, situata është bërë më e qetë”, thotë ai.

/E.Smerqaku

Kthehu mbrapa

Shto koment