Xhaka e pasuron Baselin për 11 milion CHF

14.05.2012 (komentet: 0)

Klubi i bundesligës gjermane Mönchengladbach ka arritur marrëveshje me Baselin që për të marrë Granit Xhakën në radhët e veta të paguajë 11 milionë franga.

Alban Lumi
Mesfushori shqiptar i Baselit, Granit Xhaka pasi i kishte ndihmuar skuadrën që të shpallej dy herë kampion i Zvicrës në dy vitet e fundit, është shumë afër kalimit te gjermanët e Borussia Monchengladbach. Sipas informacioneve të fundit që transmeton e përditshmja zvicerane Blick, tanimë marrëveshja është afër finalizimit. Sipas këtij burimi, gjermanët do të derdhin në arkat e kampionit zviceran 11 milion franga zvicerane. Baseli kishte përfituar edhe me mesfushorin tjetër shqiptar, Xherdan Shaqiri, i cili firmosi për gjigantin, Bayern Munchen. Thuajse nga ky transferim ata janë pasuruar për 20 milion franga. Tani priten kontrollet mjekësore të Xhakës, për të vazhduar me procedurat tjera para se ylli shqiptar të vendos firmën për klubin e ri. Monchengladbach ka përfunduar garat në Bundesliga në pozitën e katërt, duke u rikthyer pas një kohe të gjatë në garën më prestigjioze evropiane, Ligën e Kampionëve. Për këtë shkak drejtuesit e kësaj skuadre kanë filluar të mendojnë për edicionin e ardhshëm, ndërkaq synimi kryesor i tyre për transferime ishte pikërisht prishtinasi i përfaqësueses së Zvicrës. “Monchengladbach bazohet kryesisht në futbollistë të rinj, ky fakt ka ndikuar që unë të mendoi seriozisht që t’i bashkohem kësaj skuadre. Kam biseduar trajnerin dhe mendoi se është një lëvizje e qëlluar”, është shprehur Xhaka rreth transferimit të tij në Monchengladbach.

Kthehu mbrapa

Shto koment