Vuan Barca, por kualifikohet

10.04.2013 (komentet: 0)

Përkundër barazimit me rezultat 1-1 në Camp Nou, Barcelona ka arritur që ta eliminojë klubin francez, Paris Saint-Germain, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Se forma është e përkohshme dhe klasi është i përhershëm, e ka treguar kjo sfidë. Në Camp Nou ishin mbledhur rreth 90 mijë spektatorë për të shikuar një ndeshje që u mendua të jetë e lehtë për Barcelonën.

Fillimi i takoi PSG-së. Barcelona e cila e filloi takimin pa Lionel Messin, e kishte të vështirë që të thyente mbrojtjen e PSG-së.

Lucas, Lavezzi, Ibrahimovic dhe Pastore janë gjendur disa herë në mundësi të mira shënimi, por ishte Valdes ai që u tregua në formë të lartë. Ishte pikërisht Valdes ai që intervenoi bukur pas një goditje shumë të rrezikshme me kokë nga Alex.

Rezultati i pjesës së parë mbeti 0-0 dhe në pjesën e dytë ndryshuan gjërat.

Pesë minuta brenda pjesës së dytë (50’), ishte Zlatan Ibrahimovic ai që pas një kundërsulmi të shpejtë e vuri në pozitë shënimi Pastoren, i cili e parabolloi portierin Victor Valdes nga afërsia.

Në këtë moment u ngrit nga pankina Lionel Messi, i cili u inkuadrua në minutën e 62-të në vend të Cesc Fabregas.

Dhe, ndryshimi u vërejt. Edhe pse i lënduar dhe pa mundësi për të shfaqur aftësitë e tij në mënyrë të përkryer, Messi e ndryshoi lojën për Barcelonën.

Pas një aksioni të nisur nga ai brenda zonës së Barcelonës, ishte David Villa ai që e gjeti të lirë Pedron, i cili me një goditje me të majtën arriti të shënojë për 1-1 dhe gëzimin e tifozëve në Camp Nou (71’).

Ethet për katalanasit vazhduan deri në fund, pasi PSG u shfaq rrezikshëm në kërkim të golit kualifikues, por deri në fund asnjëra prej skuadrave nuk shënoi gol.

Me këtë barazim me rezultat 1-1, Barcelona kualifikohet në gjysmëfinale, pasi rezultati pas dy ndeshjeve të zhvilluara është 3-3 me katalanasit që kanë përparësinë e dy golave të shënuar në Paris.

Kthehu mbrapa

Shto koment