Volejbollistet e Dritës megjithatë dhanë maksimumin

19.10.2016 (komentet: 0)

Vashat e Dritës së Gjilanit, kampion të Kosovës zhvilluan ndeshjen e parë zyrtare në garën në Ligën e kampionëve të Evropës. Ato në praninë e afro 1200 shikuesve, që ofruan spektakël, në Pallatin e sporteve “Bashkim Selishta” në Gjilan janë përballur me kampionen e Bullgarisë, Maritza të Pllovdivit.

 

Siç edhe është pritur bullgaret kanë shënuar ftorre me rezultat të pastër 3:0 /25:13, 25:11 dhe 25:15/. Me një organizim të shkëlqyer dhe të përmbushur me shikues, volejbollistet e Dritës së Gjilanit dhanë maksimumin në këtë përballje me ekipin bullgar, Mariza. Në bazë të cilësisë dhe përvojës më të gjatë ndërkombëtare, bullgarët me lehtësi e fituan këtë takim.

 

Në setin e parë, vetëm fillimi i këtij seti ishte i baraspeshuar. Në vazhdim filloi të krijohej epërsia e bullgareve me 8:4 dhe më pastaj ato shkëputen duke fituar këtë set me 25:13.

 

Në setin e dytë lojtaret e Dritës ishin në epërsi 3:0. Me vazhdimin e lojës barazohet rezultati dhe në vazhdim bullgaret që kishin një gjatësi shumë të madhe krahasuar me mikpritëset e fituan këtë set me lehtësi me 25:11.

 

Edhe në setin e tretë e vashat e Dritës e filluan mirë, por megjithatë ia dolën të fitojnë 15 pikë që mund të konsiderohet një paraqitje e mirë. Setin e tretë dhe të fundit bullgaret e fitojnë 25:13.

 

Ndonëse është pritur me entuziazëm, angazhimi i dy lojtareve nga jashtë Kapri Richardson dhe Melissa Ortega Romano nuk solli ndonjë freski në ekipin e Dritës që nga ato është pritur për një paraqitje më dinjitoze.

 

Pas ndeshjes trajneri i Dritës Lorik Ilazi deklaroi.:"Së pari i përgëzoj vajzat për angazhimin që bënë përgjatë tri seteve, skuadra nga Bullgaria kishte potencial më të madh tek volejbollistet, por edhe përvoja ishte në anën e tyre. Duhet kuptuar se volejbolli në shtetin e Bulgarisë ka një traditë, jam i lumtur që kemi arritur ta organizojmë këtë ndeshje siç është më së miri dhe të gjithë ata që kanë kontribuar i falënderojë nga zemra e posaçërisht kryetarin e klubit Valon Murseli që na dhuroi këtë spektakël të madh në arenën ndërkombëtare".

 

Trajneri i skuadrës Maritza Ivan Petkov deklaroi:"Skuadra ime tregoi më shumë cilësi dhe me meritë arritëm këtë fitore. Jam i fascinuar me mikpritjen që na është bërë, atmosfera ka qenë shumë e mirë ndërsa skuadra e Dritës ka një skuadër të re, por të talentuar".

 

Drita: Richardson, Asani, Dushica, Syla, Jaha, Kadriu, Leka, Mehmeti, Ortega, Ilazi, Hyseni , Latifi

 

Maritza: Dancheva Bozdeva, Atanasova, Kovacheva, Dimitrova, cesljar, Teneva, Grigorova, Usheva, Monova, Todorova, Chausheva, Tsvetanova

 


Ndeshjen e kthimit Drita do të jetë mysafire e ekipit bullgar në Plovdiv më 22 tetor 2016. 













Kthehu mbrapa

Shto koment