Volejbolli kosovar në pension!

24.09.2013 (komentet: 0)

Se volejbolli në vendin tonë është në krizë të thellë, është e qartë edhe për laikun më të madh, por se ndodh që në ndeshjen e xhiros së parë të edicionit të ri të mos zhvillohen dy ndeshje, këtë nuk e kanë pritur as pesimistët më të mëdhenj. Kur kësaj t’i shtohet e dhëna se probleme ka skuadra më e mirë në konkurrencën e femrave, Prishtina, atëherë nuk ka dilema se është koha për alarm jo vetëm te skuadrat, por në rend të parë te drejtuesit e volejbollit tonë.

Volejbolli kosovar në pension!

 

Në kryeqytet nuk u zhvillua ndeshja kryesore e vitit Universiteti AAB – Prishtina, në konkurrencën e femrave, kurse në Gjilan në konkurrencën e meshkujve Drita nuk ishte e gatshme të dal në ballafaqim me Drenicën. Si Prishtina ashtu edhe Drita e kanë problemin e njëjtë me emrin telashe financiare. Ka kohë që Prishtina ka mbetur në duart e një personi i cili jo vetëm që është trajner, por edhe donatorë e shumëçka tjetër.

Është fjala për Mehdi Mehmetin, i cili është i zhgënjyer por e ka të qartë se nuk ka çka të bëj. “ Nuk mbahet klubi me një apo dy persona. Nuk e kam të qartë se si është e mundur që volejbolli të anashkalohet nga të gjithë. Në fakt, disa klube kanë njerëz të kyçur në politikë dhe i kanë punët mirë pasi për ata ka para, kurse për klubet tjera jo. Ne për disa vite jemi kampion e fitues të kupës, por jemi ndihmuar vetëm me 1500 euro nga Komuna dhe po aq nga Departamenti i Sportit. Ne kemi bërë kërkesë për ndihmë, por askush nuk qanë kokën, sot askush nuk falë, por duhet të them se edhe mungesa e ligjit për sponsorizim e ka bërë të veten”, thotë Mehdi Mehmeti, duke mos qenë fare optimist se skuadra e tij mund t’i vazhdojë garat.

Situata ë ngjashëm pothuaj është edhe në skuadrën e Dritës në konkurrencën e meshkujve. Drejtuesit e saj kishin paralajmëruar se nuk mund t’i vazhdojnë garat, kështu që nuk e zhvilluan fare ndeshjen e parë. “Kushtet financiare janë arsyeja kryesore edhe pse Drita ndihmohet pak nga Komuna, e cila paguan kuotizimin dhe udhëtimin. Mendoj se faji më i madh është te Federata e Volejbollit e Kosovës e cila është në gjumë të thellë. Ata nuk punojnë asgjë, janë disa persona në pension të cilët e kanë zënë vendin aty dhe kanë 3-4 klube pas vete, kështu që minojnë çdo proces pozitiv. Ata nuk janë në gjendje që as afatin kalimtar ta lajmërojnë ne medie tona. Kjo i ka shtyrë shumë të rinj që t’i thonë lamtumirë volejbollit, kurse të tjerët përkundër dëshirës e kanë parë që nuk ka asgjë dhe nuk duan të merren me volejboll. Do të jetë vështirë të zhvillohet edhe java e dytë, ta shohim do të takohemi dhe të bisedojmë por nëse nuk ndërmerret diçka nuk besoj se mund të vazhdohet kështu”, tha Lorik Ilazi, i cili sikur Mehmeti kryen shumë funksione në klub.

Ai e pranon se Drita në konkurrencën e femrave i ka punët më mirë, duke thënë se “ aty qëndron puna më mirë pasi kemi një donator i cili në fillim na tregon se sa ka mundësi të na ndihmojë, sa kemi mundësi të përforcohemi dhe çdo gjë është e qartë. Mirëpo, te femrat edhe interesimi është më i madh”. Mungesa e skuadrave mund të sjell telashe në kalendarin e ndeshjeve, madje mund të ndërpritet edhe kampionati, i cili veç sa ka nisur. “ Këto nuk janë shenja të mira. Konceptet e gabuara të aktiviteteve të klubeve kanë sjell deri te dështimi”, thotë trajneri dhe njohësi i rrethanave në volejbollin kosovar Xhavit Kajtazi, i cili gjithashtu ka vërejtje te drejtuesit e Federatës së Volejbollit të Kosovës.

Akuzat i mohon kryetari i FVK-së Xhavit Mustafa duke thënë se “ ne i organizojmë garat e jo klubet. Nëse drita mund të përforcohet në konkurrencën e femrave, pse të mos e bëj këtë edhe te meshkujt. Nuk është mirë që në çastet e fundit të hiqet dorë nga garat, është dashur të lajmërohemi më herët ndoshta edhe kemi mundur t’i ndihmojmë”. Mustafa e pranon se ka të moshuar në FVK. “ Edhe në Evropë ka që i kanë nga 80-90 vjet por e japin kontributin e tyre. Ata i kanë fituar votat”, thotë kryetari i FVK-së duke bërë me dije se volejbolli është politizuar shumë./korneri/

Kthehu mbrapa

Shto koment