Vokrri: Përfaqësuesja A e Kosovës të luajë në EURO 2016

15.06.2013 (komentet: 0)

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka thënë në një intervistë për gazetën Blic se presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter po kërkon zgjidhje për përfshirjen e përfaqësueses A të Kosovës në futboll që në kualifikimet për Euro 2016.

Blatter të mërkurën ka qëndruar për vizitë në Beograd dhe ka kërkuar nga serbët që të japin ndihmë për të gjetur zgjidhje për futbollin e Kosovës.

"Presidenti i FIFA-s po mundohet të gjejë zgjidhje që përfaqësuesja jonë të mund të garojë", ka thënë Vokrri. "Nuk po mendoj vetëm në kategoritë e reja, por edhe për përfaqësuesen A. Përfaqësuesja A është qëllimi, pasi ne tashmë luajmë me përfaqësueset e reja".

"Deri tani na kanë refuzuar për shkak të statutit. Pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Beogradit e Prishtinës në Bruksel, më nuk ka arsye të pengojmë njëri-tjetrin. Është koha të harrojmë të kaluarën dhe t'i kthehemi së ardhmes. Marrëveshja thotë se asnjëra palë nuk guxon të bllokojë euro-integrimet. Ne nuk kemi ulëse në OKB, por na kanë pranuar 96 vende, do të ishte e drejtë që të garojmë", ka shtuar Vokrri.

Ai pret që FIFA shpejt të dalë me një vendim, në mënyrë që Kosova të luajë në eliminatore për Euro 2016.  

Kthehu mbrapa

Shto koment