Vokrri: Miqësoren me Turqinë shpresojmë ta luajmë në kryeqytet
10.03.2014 (komentet: 0)
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka shprehur shpresën se miqësorja e dytë e Përfaqësueses së Kosovës kundër Turqisë, do të zhvillohet në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë. Kjo miqësore pritet të luhet më 21 maj, pasi krerët e FFK-së, Vokrri e Salihu, e aranzhuan atë pas takimit me përzgjedhësin e Turqisë, Fatih Terim, me ndërmjetësimin e ish-presidentit të Fenerbahçes, Ali Shen.
“Turqia është një kundërshtar shumë atraktiv, por për neve çdo ndeshje e
përmasave të nivelit të përfaqësueseve është e rëndësisë së veçantë
sepse po prezantohet shteti i Kosovës, edhe pse momentalisht pa simbole.
Fatih Terim ishte shumë i afërm në raport me ne gjatë këtij takimi dhe
ai menjëherë na bëri me dije se është i gatshëm të luajë me Kosovën.
Mirëpo, meqenëse me 25 mars Turqia ka ndeshje në Dublin me Irlandën,
duhet zgjedhur dy - tri ditë më herët që ata të vijnë në Kosovë. Ai po
ashtu na ka ofruar tërë ndihmën e tij për seminare të ndryshme në
Kosovë, si për trajner, gjyqtarë etj”, ka theksuar Vokrri për RTK-në.
Tutje Vokrri ka shprehur dëshirën që kjo miqësore të luhet në kryeqytet.
“Një shtet pa një stadium në kryeqytet është i mangët, prandaj është e
nevojshme që të investohet edhe në stadiumin e Prishtinës. Gjatë
bisedave të fundit që kam pasur me ministrin Memli Krasniqi dhe
kryeministrin Thaçi, ata, janë shprehur të gatshëm të investojnë në
stadium. Prandaj duhet një takim tjetër me kryetarin e komunës, Shpend
Ahmeti, i cili është një dashamir i madh i futbollit. Shpresoj se kjo
gjendje të na mobilizojë të gjithëve. Duhet të bëhet çmos që të bëhen dy
stadiume që i plotësojnë kriteret për zhvillimin e ndeshjeve
ndërkombëtare”, ka shtuar Vokrri. Ai më tej ka bërë të ditur se të
deleguarit e FIFA-s ia në ndeshjen me Haitin ia kanë dhënë notën 8 nga
ajo maksimale 10 për organizimin e ndeshjes së parë miqësore
ndërkombëtare.
Ndërkohë duke folur për mundësinë që Kosova të jetë pjesë e
kualifikimeve për Botërorin 2018, numri një i FFK-së është shprehur: “Ne
të gjithë synojmë të jemi në kualifikimet e Botërorit 2018, por është
një gjë e cila do të na i vështirësojë këto ambicie. Dihet se ky
kampionat do të mbahet në Rusi dhe të gjithë e dimë qasjen e këtij vendi
karshi Kosovës, gjë e cila sigurisht se do të jetë një vështirësi plus
për neve. Sidoqoftë, ne duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, me zhvillimin e
miqësoreve, pasi po del se edhe miqësoret e kanë rëndësinë shumë të
madhe. Paramendoni vetëm në sfidën me Haitin kanë qenë mbi 100 gazetarë
dhe kjo është e një rëndësie të veçantë. Besoj se përmes këtyre
miqësoreve edhe FIFA edhe UEFA do ta vlerësojnë punën tonë dhe në një të
ardhme të afërt do t’i thyejmë edhe barrierat e fundit”. Vokrri po
ashtu ka shprehur shpresën se në një të ardhme të afërt komuna e
Prishtinës do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së FFK-së për ndarjen e
një lokacioni për ndërtimin e Shtëpisë së Futbollit, pasi sipas tij
tashmë ekzistojnë edhe mundësitë për të thithur donacione nga jashtë,
derisa nuk e përjashtuar mundësinë që FFK-ja edhe pse nuk është anëtare e
familjes së futbollit botëror të përfitojë nga ndonjë program i
FIFA-s.
/E.Smerqaku
Shto koment