Vokrri merr edhe 4 vjet mandat në garën pa rival

04.02.2012 (komentet: 0)

Prishtinë, 3 shkurt - Fadil Vokrri do të udhëheqë futbollin kosovar edhe në katër vjetët e ardhshëm. Besimin për të udhëhequr Federatën e Futbollit të Kosovës edhe për një mandat katërvjeçar, Vokrri e fitoi të enjten në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së, të mbajtur në Prishtinë. Kuvendi zgjati pak më shumë se gjysmë ore, ndërsa përveç kryetarit të FFK-së u zgjodhën edhe shumica e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të Federatës. 

Vokrri u zgjodh në mënyrë unanime. Për të votuan të gjithë 54 delegatët që ishin të pranishëm në kuvend. Votimi për kryetar, por edhe për anëtar të Komitetit Ekzekutiv ishte i hapur. Votimin e hapur e kërkuan vetë delegatët duke u mbështetur në argumentin se kryetari i deritashëm i FFK-së, Vokrri, ishte kandidati i vetëm për postin e njeriut të parë të futbollit në vend. 

Fadil Vokrri vlerësohet ndër futbollistët më të mirë që ka pasur Kosova. Ai udhëhoqi gjeneratën e artë të klubit Prishtina. Më pas ka luajtur edhe për Partizanin e Beogradit, si dhe në Turqi e Francë. Vokrri në postin e kryetarit të FFK-së erdhi para katër vitesh, në shkurt të vitit 2008. Më herët ishte kryetar i Këshillit të Përkohshëm të FFK-së, organ që udhëhiqte futbollin kosovar. 

Pas rizgjedhjes, Vokrri ka thënë se prioritet i FFK-së edhe në katër vjetët e ardhshëm do të jetë pranimi në FIFA e UEFA. 

"Prioritet do të jetë ndërkombëtarizimi, përkatësisht pranimi në FIFA e UEFA. Ky vit ndoshta do të jetë kyç në këtë proces. Tanimë janë vënë kontaktet direkte me FIFA e UEFA. Pranimi ndërkombëtar ka qenë prioritet edhe në mandatin e kaluar, por një kohë nuk kemi mundur të vinim kontakte fare me FIFA-n e UEFA-n. Vitin e kaluar është bërë hap kolosal me njohjen e kartonit të lojtarëve. Në dy vitet e fundit është diskutuar zyrtarisht çështja e futbollit kosovar në FIFA e UEFA. Prandaj jam optimist se pranimi do të vijë shumë shpejt", ka thënë Vokrri, pasi mori besimin e delegatëve.

Në të vërtetë, rizgjedhja e Vokrrit në postin e kryetarit të FFK-së është ditur më herët. Ai ishte kandidati i vetëm për kryetar, ndërsa kandidoi me përkrahjen e shumicës së delegatëve të FFK-së. Kundër kandidaturës së tij publikisht u shprehën vetëm përfaqësuesit e Prishtinës, që në kuvend nuk morën pjesë fare. 

Kuvendarët për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv kanë zgjedhur përfaqësuesit që pjesë e këtij organi ishin edhe katër vitet e kaluara. Propozimet për anëtar të KE-së u bënë nga lidhjet rajonale. Komiteti Ekzekutiv do të vazhdojë të përbëhet nga Agim Ademi, Xhelal Broja, Bakir Burri, Agim Maloku, Murat Hoxha, Ilaz Mjaku, Luan Vokshi e Vjollcë Krasniqi. Kryetari i FFK-së ka të drejtë që të emërojë edhe tre anëtarë të tjerë të KE-së. Vokrri ka konfirmuar se njëri prej tyre do të jetë nënkryetari Bekim Haxhiu, ndërsa për dy të tjerët do të vendosë më vonë.  

Kthehu mbrapa

Shto koment