Vilolant Sylejmani shpallet sportist i vitit në Gjilan

16.06.2016 (komentet: 0)

 

 

Gjilan, 15 qershor 2016 – Pikërisht në ditën e çlirimit, Komuna e Gjilanit, përkatësisht Njësia për Sport ka ndarë sot mirënjohje për më të dalluarit e vitit 2015/2016 në sektorin e sportit, ngjarje kjo në të cilën ka marrë pjesë kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, “Nderi i Qytetit”, boksieri Erzen Rrustemi, deputetë e asambleistë, sikurse edhe sportdashës të shumtë.

 

 

Mirënjohjet e sotme për më të dalluarit e vitit në sport po jepen për herë të parë më 15 qershor dhe kryetari Haziri tha se kalendari i vitit për shpalljen e më të dalluarve duhet të lidhet me Ditën e Çlirimit.

 

“Sot, festën e qytetit po e shënojmë edhe me këtë aktivitet të rëndësishëm në sport. Sot ne kemi emra të njohur të sportit në botë, e që janë emblematik të Gjilanit, siç është Xherdan Shaqiri e Erzen Rrustemi. Por, këta dhe të tjerët, nuk kanë mundur të arrijnë suksese po të mos i kishim legjendat gjilanase që dhanë shumë për sport. Pra, gjenerata të tëra kanë punuar dhe janë angazhuar që ne sot t’i korrim sukseset kombëtare e ndërkombëtare. Jam krenar që pothuajse të gjitha kategoritë e sportit në Gjilan po sjellin rezultate të mahnitshme kudo që po marrin pjesë. Gëzuar dita e çlirimit dhe faleminderit për nderin që po ia bëni Gjilanit.”, ka thënë Haziri, në adresimin para qindra sportistëve.

 

Me vendim të jurisë profesionale, lojtari i vitit është zgjedhur boksieri Volant Sylejmani, i cili fitoi tri medalje të arta, edhe atë në turneun ndërkombëtar në Bosnie Hercegovina, në turneun “Gongu i Artë” në Maqedoni dhe në turneun “Adem Jashari” të mbajtur në Republikën e Kosovës.

 

Me mirënjohje janë shpërblyer edhe këta sportistë: Isa Salihu (KV “Drita”), Alban  Tosumi (KF “Gjilani”), Blerta Shala (KF “Intelektualet”), Bjondina Ramabaja (KH “Drita”), Elhami Shabani (Klubi Karatesë “Drita”), Blinera Jaha (KV “Drita”), Alban Haziri (KH “Zhegra”), e Mirlinda Daku (KB “Drita”).

 

Klubi më i dalluar është shpallur ai i volejbollit “Drita”, trajneri më i dalluar Lorik Ilazi, derisa Selami Haziri - pedagogu sportiv i vitit.

 

Ndërkaq, tek Shpresat e Sportit për vitin 2015/2016 u nderuan me mirënjohje: Belinë Rashiti (Klubi i Karatesë “As”), Blerand Limani (Klubi i Karatesë “Dardania”), Erdonis Maliqi (Klubi i Boksit “Drita”), Ardit Mustafa (Shkolla e Fubollit “Shkëndija”) dhe Vesa Ibrahimi (Klubi i Karatesë “Drita”).

 

Mirënjohje e veçantë i është ndar Avdil Ibishit (Handikos), ndërsa me mirënjohje post mortum janë nderuar, Ramadani Salihu – ish futbollist dhe Servet Shala ish-volejbollist.

Kthehu mbrapa

Shto koment