VËSHTIRË PËR SHQIPTARËT QË LUAJNË KUNDËR SHQIPËRISË

05.06.2013 (komentet: 0)

T’i mbrosh ngjyrat e një vendi tjetër dhe të luash kundër vendit tënd, është e vështirë për çdo futbollist. Njëjtë ndihen edhe futbollistët shqiptarë që luajnë kundër Shqipërisë. Valon Berisha ishte vërshëllyer dhe quajtur tradhtar, ndërsa ‘fat’ të njëjtë mund të ketë edhe Ardian Gashi, i cili do të zbresë në ‘Qemal Stafa’ si kundërshtar të premten. Por, dyshja thotë se mundohen t’i lënë anash ndjenjat dhe ta përfaqësojnë me nder Norvegjinë.

Futbollistët shqiptarë që luajnë kundër Kombëtares së Shqipërisë hasin në vështirësi gjithmonë.

Përpos ndjenjave të përziera kur i përfaqësojnë vendet tjera, ta përballen edhe me akuzat e tifozëve shqiptarë, që shpesh dinë t’i quajnë edhe ‘tradhtarë’.

Fyerje të tilla pësoi edhe futbollisti kosovar Valon Berisha, i cili në muajin mars i mbrojti ngjyrat e Norvegjisë, në ndeshje me Shqipërinë, të cilën e fituan Kuqezinjtë.

“Më kanë quajtur tradhtar gjatë ngrohjes, në përballjen e fundit. Unë nuk kam problem të shënoj gol, nëse më jepet rasti”, tregon sulmuesi i Red Bull Salzburgut, i cili ndihet i preokupuar me këtë fakt.

Të njëjtin ‘fat’ mund ta ketë edhe futbollisti tjetër kosovar, Ardian Gashi, i cili do t’i mbrojë ngjyrat e Norvegjisë, në ndeshjen e së premtes ndaj Shqipërisë, e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2014.

Sidoqoftë, Berisha ishte zotuar se nëse i vjen ndonjë rast, do ta shfrytëzonte, duke u munduar të shënojë gol, pasi është futbollist profesionist.

Njëjtë e ka ndërmend të veprojë edhe mesfushori i Helsingborgut. Nëse i jepet rasti të luajë, ai premton se do ta japë maksimumin për norvegjezët.

“Është një ndjenjë e keqe të luash kundër vendlindjes, por si një futbollist profesionist, kur ta vesh fanellën e përfaqësueses norvegjeze, mundohem ta mbroj atë me nder dhe krenari”, tha Gashi për TV 2 Sport.

Edhe futbollistët shqiptarë që luajnë për Zvicrën, Valon Behrami, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemajli e Admir Mehmedi, ishin konsideruar si tradhtarë nga tifozët shqiptarë, në përballjen në mes të Zvicrës dhe Shqipërisë.

Norvegjezët, në Tiranë për fitore

Norvegjezët janë të vetëdijshëm se në Tiranë i pret “ferri” dhe janë përgatitur për ‘luftë’.

Ka qenë sulmuesi i kësaj skuadre, Daniel Braten, i cili ka deklaruar se Norvegjia nuk duhet të presë ‘buqeta me lule’ në kryeqytetin shqiptar.

Në një intervistë për gazetën “Dagbladet” ai është shprehur: “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë në Tiranë. Besoj se do të ketë shumë më tepër luftë, se “samba”, siç mendojnë disa. E kemi të qartë se çfarë na pret atje. Jemi të përgatitur për gjithçka dhe shpresoj të kthehemi në Olso me ndonjë pikë në ‘xhep’”, deklaroi ai.

Më pas, Braten ka deklaruar se ndoshta ka ardhur koha e revanshit për Norvegjinë, duke kujtuar këtu humbjen e 22 marsit në “Ullevaal”.

“Unë vazhdoj të jem i bindur se në Olso kemi qenë të pafat ndaj Shqipërisë. Kemi humbur shumë raste dhe nuk e meritonim atë humbje. Gjithsesi, nuk duhet të mendojmë shumë për atë takim, pasi pikët nuk kthehen më”, vijoi ai.

“Unë besoj se pavarësisht asaj humbje jemi plotësisht në garë për një vend në Brazil. Mjafton të fitojmë në Tiranë dhe jemi sërish brenda. Botërori është një ëndërr për të gjithë ne, ndaj nuk duhet të heqim dorë deri në ndeshjen e fundit”, ka thënë Braten.

Edhe kapiteni i Norvegjisë, Brede Hangeland, është një nga ata që beson verbërisht tek revanshi ndaj kuqezinjve në Tiranë.

“Gjatë këtyre ditëve në grumbullim kemi folur mes nesh. Kemi analizuar ndeshjen e parë dhe e dimë fare mirë se nuk ka qenë një ndeshje pozitive për ne. Ndaj, në Tiranë nuk mendojmë gjë tjetër veç revanshit”, ka thënë kapiteni i Norvegjisë, i cili ka shmangur nga fjalori fjalën “dështim” në Shqipëri.

Humbja në Tiranë ka bërë që në Norvegji të ketë shumë debat në lidhje me sfidën kundër Shqipërisë në Tiranë. Skeptikët janë të shumtë në vendin nordik. Por për kapitenin Hengeland është fiksuar vetëm fjala “fitore”.

“Ndeshja kundër Shqipërisë është si një finale kupe, që duhet fituar me patjetër. Nuk më intereson asgjë tjetër veç fitores. Jam i bindur, nëse shënojmë të parët në Tiranë fitojmë ndeshjen. Kjo është një ndeshje vendimtare për Botërorin 2014”, ka thënë kapiteni Hangelang.gazeta express

Kthehu mbrapa

Shto koment