Të shtunën mbahet turneu memorial në futboll që i kushtohet “Bezit”, “Racit” dhe “Reshit”

08.08.2014 (komentet: 0)

Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri, në bashkëpunim me drejtorin e Kulturës dhe klubin e futbollit “Drita”, nesër mbahet turneu memorial në futboll kushtuar tri figurave që dhanë kontribut të madh për sportin gjilanas dhe atë kosovar: Selami Osmani - “Bezi”, Kemajl Halimi - “Raci” dhe Reshat Osmani “Reshi”.

U.d. drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Bujar Haziri, ka thënë se komuna e Gjilanit e ka mbështetur këtë turne me mundësitë e saj, duke nderuar tri figurat e çmuara që dhanë shumë për futbollin gjilanas.

“Komuna e Gjilanit me të gjitha mundësitë tona e ka mbështetur këtë turne. Tri figurat e nderuar meritojnë t’i kujtojmë në mënyrën me të mirë sepse dhanë shumë për futbollin gjilanas, e që tashmë njihet si qytet i futbollit në nivel Kosove dhe në rajon”, tha Haziri.

Nga ana e tij, Besim Ismaili – kryetar i bordit të klubit futbollit “Drita”, tha se për këtë turne është ftuar “KF Trepca” nga Mitrovica, “KF Ferizaj” dhe “KF Gjilani”.

“Ky turne është me rëndësi të veçantë për futbollin në nderim të figurave gjilanase. E falënderojmë kryetarin Haziri për mbështetjen e madhe që na ka dhënë. Synojmë që në të ardhmen të sjellim edhe klube nga rajoni për ta bërë sa më madhështor turneun. I ftojmë futbolldashësit që të marrin pjesë sa më shumë në këtë turne”, ka thënë Ismaili.

Turneu fillon në ora 15:00 në stadiumin e qytetit, ndërsa hyrja është falas për të gjithë futbolldashësit.

Kthehu mbrapa

Shto koment