Të mos harrohen ish sportistët e mëdhenj

09.03.2012 (komentet: 0)

Qyteti i Gjilanit është një nga vendet më të njohur në Kosovë, që në vazhdimësi ka çmuar dhe mbështetur pa rezervë sportistët e kësaj treve, ka dëshmuar gjithnjë një respekt të veçantë për të gjithë sportistët, që kanë lenë gjurmë të pashlyer jo vetëm në komunë, por edhe me gjerë, duke kaluar edhe kufijtë e vendit.

 

Shkruan: Fehmi SYLEJMANI


Dhe kjo praktikë pozitive assesi nuk guxon të ndërpritet apo të devijohet, pavarësisht kushteve dhe rrethanave ekzistuese, por përkundrazi të vazhdojë dhe të jetësohet edhe më tej. Në asnjë mënyrë nuk duhet të harrohen ish sportistët e mëdhenj të kësaj komune, të cilët  vetëm fizikisht janë  ndarë nga jeta, meqë vepra dhe puna e tyre si sportistë gjithmonë duhet  të jetë në mendjen e sportistëve të ardhshëm, në mesin e kolegëve, gjithmonë të  dashur dhe të paharruar. 

Tre emra të njohur të sportit gjilanas, gjithsesi se duhet të kenë respekt dhe të mos harrohen kurrsesi. Legjenda e hendbollit gjilanas, Durgut Abdullahu, ish futbollisti , trajneri dhe pedagogu Kemajl Halimi dhe boksieri i njohur gjilanas Shemsi Kurtalani. 

Është detyrë dhe obligim moral, në radhë të parë i klubeve përkatëse, sportistëve, kolegëve të tyre, shoqatave të ndryshme sportive,  institucioneve relevante lokale dhe dashamirëve sportiv, që këta sportistë të kujtohen. Kanë kaluar më së dy vite, që nga ndarja e tyre dhe akoma nuk kemi asnjë formë kujtim për këta tre sportistë të mëdhenj të Gjilanit. 

Do të ishte mirë që klubi i hendbollit Drita, të paktën të organizojë një turne përkujtimor për nderë të Durgut Abdullahut. Po ashtu edhe dy klubet gjilanase (Drita dhe Gjilani), që të dyja së bashku të marrin iniciativën për një turne memorial për Kemajl Halimin, e gjithsesi se këtë duhet ta bëjë edhe klubi i boksit Drita për hir të Shemsi Kurtalanit. Por ka edhe forma tjera të kujtimit, por duhet vetëm vullnet dhe dëshirë për të bërë diç në këtë drejtim.

Ndërkohë që KF Drita ka dështuar me turneun përkujtimor Ramadan Sadriu, për faktin se shumë pak vite është mbajtur turneu për ish futbollistin, i cili ishte vrarë në vitin 1999 nga forcat e  errëta serbe.

Durgut Abdullahu karrierën e tij hendbollistike e kishte filluar në Gjilan, në ish klubin “Bozhur”, diku në moshën 16 vjeçare dhe dikur rreth 45 vite të tëra është marrë me  hendboll. Ai me aftësitë e tija hendbollistike kishte arritur  në majat e hendbollit jo vetëm kosovar, por edhe atëbotë jugosllav. Dugi siç e quanin bashkëlojtarët e tij  dhe mbarë Gjilani, ishte njëri i dashur për të gjithë dhe një qytetar që ishte i respektuar jo vetëm si  sportist,  por edhe si njeri. 

Ai arriti të jetë reprezentues i Kosovës, ku shkëlqeu me lojën e tij duke “poshtëruar” portierë të shumtë, ndër ta edhe portierin më të madh të të gjitha kohërave të ish Jugosllavisë, Abaz Arslanagiqin, i cili ia kishte shtrirë dorën Dugit për mashtrimin maestral që ai ia kishte bërë atij, duke shënuar gol nga shtatë metra. 

Ai me afinitetin e tij mjeshtërore të penaltive  kishte marrë nofkën edhe “doktor i shtatësheve”. Abdullahu pasi ishte ndarë nga loja aktive ishte marrë edhe me zejen e trajnerit. Ai kishte qene trajner i skuadrave të Dritës dhe ish Rilindjes, dy ekipe gjilanase, në konkurrencën e meshkujve, si dhe kohën më të gjatë e ka kaluar në krye të ekipit të femrave. 

Ishte një nga sportist më të urtë dhe i disiplinuar, nuk mbahet mend se ai ka mundur të përjashtohet me dy minuta në ndonjë ndeshje për lojë agresive. Ai gjithmonë ka luajtur në mënyrë sportive, sikundër që njihet si një lojtar që ka mundur të luaj në të gjitha pozitat, përveç portierit. Madje ai mban edhe rekordin në Gjilan, për nga numri më i madh i golave në një ndeshje, njëherë kishte shënuar hiç me pak se 40 sosh.

Ndërsa, profesori i Edukatës Fizike, ish futbollisti,  dhe ish trajneri i njohur kosovar, Kemajl Halimi, gati një gjysmeshekull është marrë me futboll, duke  lënë mbresa të jashtëzakonshme për futbollin gjilanas dhe atë kosovar. 

Karrierën e tij prej futbolli e kishte nisur në klubin gjilanas “Cërvena Zvezda” të Gjilanit. Ndërkohë krahas futbollit aktiv ai kishte mbaruar edhe  Fakultetin e Kulturës Fizike në Sarajevë, e më pas  ishte punësuar në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan si një nga kuadrot e para shqiptar të kësaj fushe. 

Halimi duke e dashur teje mase futbollin,  në afatin rekord kishte mbaruar  edhe shkollën e Lartë të Trajnerëve në Sarajevë, derisa me zejen e trajnerit  për herë të parë fillon në “C.Zvezda” të Gjilanit. Halimi i njohur me nofkën Raci kishte drejtuar edhe dy skuadrat rivale të Gjilanit, Dritën dhe Gjilanin, si kundër një kohë ka udhëhequr edhe Bashkimin e Kumanovës. 

Gjatë mëvetësimit të futbollit kosovar gjatë viteve 90, ka qenë edhe përzgjedhës i Kosovës për  grupmosha të reja. Si kundër që ka qenë edhe anëtar i këshillit Profesional të Trajnerëve të Kosovës. Ndërsa së fundi ka qenë drejtor sportiv i KF Drita dhe koordinator i shkollës  së futbollit Drita. Po ashtu ka qenë edhe në listën e vëzhguesve të Superligës së Kosovës.. 

Ai ishte shembull për të mirë, edukoi shumë breza, zbuloi shumë talent futbolli, shquhej për dashurinë që kishte ndaj sportit dhe futbollit. 

Ndërkaq, Shemsi Kurtalani- Shema,  kishte filluar të merret me boks që në moshën 17 vjeçare. Karrierën e boksit e kishte nisur në klubin e boksit Partizani nga Gjilani, dhe diku rreth 13 vite ishte marrë me këtë sport luftarak. 

Për një stinor të plotë  kishte boksuar edhe në klubin e boksit Pelister të Manastirit të Maqedonisë. Shema ka qenë i njohur dhe i veçuar në boks për nga trimëria dhe guximi i tij i paluhatur. Nuk ka pasur boksier që ka mundur ta frikësojë atë.

Të gjithë shokët e kanë adhuruar dhe dashur shumë, ngase ka qenë sportist i mirë dhe punëtor i palodhshëm në stërvitje. Ishte një nga boksierët më të rregullt në stërvitje. Mbahet mend tek të gjithë boksierët dhe trajnerët e tij,  se ishte një nga punëtorët më të mëdhenj gjatë stërvitjeve.

Ka zhvilluar diku mbi 200 meçe dhe njihet si një nga boksierët gjilanas  dhe kosovar që ka mposht shumë boksierë të njohur të Ish-Jugosllavisë . Suksesin më të madh e ka arritur në vitin 1984 në Moskë të Rusisë, kur kishte fituar medaljen e argjendtë, në një turne ndërkombëtar të boksit. 

Në shumë turne të klubit të boksit Prishtina, Kurtalani ishte ftuar edhe nga legjenda e boksit Lah Nimani, për të përforcuar radhët e ekipit të kampionit të shumëfishtë të ish Jugosllavisë në boks./2lonline/

Kthehu mbrapa

Shto koment