Spanja mbron titullin dhe shkruan historinë

02.07.2012 (komentet: 0)

Spanja është kampione e re e vjetër e Evropës, pasi që në ndeshjen finale të Euro 2012 e ka mposhtur bindshëm Italinë me rezultat 4:0. Kjo është hera e dytë me rradhë që spanjollët shpallen më të mirët e kontinentit të vjetër, duke u bërë vetëm kombëtarja e parë që e ka arritur këtë deri më tashti.

Furia e kuqe para katër vitesh ishte shpallur kampione në kampionatin e mbajtur në Zvicër dhe Austri dhe kjo ia ka mundësuar asaj që të jetë e para që e ka mbrojtur këtë titull. Ky ishte titulli i tretë për spanjollët në katër vitet e fundit, përfshirë këtu edhe titullin e fituar në kampionatin botëror në Afrikën e Jugut më 2010.

Me këtë triumf spanjollët ia kanë mbyllur gojën në mënyrën më të mirë të gjithë kritikëve për lojën e tyre tik-tak (me shumë pasime). Triumfi i tretë në garat ndërkombëtare të mëdha ka verifikuar dominimin e Spanjës, e cila kështu ka siguruar historinë.

Mirëpo statistikat impresive spanjolle nuk mbarojnë këtu. Selektori Vicente Del Bosque i është bashkangjitur selektorit të Gjermanisë, Helmut Schön (1972 dhe 1974) me dy tituj radhazi të fituar në kampionate evropiane dhe botërore. Se sa spanjollët ishin superior në finale tregoi fitorja 4:0, e cila nuk ka ndodhur në asnjë finale të gjertanishme. Herën e fundit kjo ka ndodhur në finalen e vitit 1972 kur Gjermania kishte mposhtur ish-Bashkimin Sovjetik.

Gjithçka ishte e kryer në momentin kur mbrojtësi Jordi Alba asistimin e Xavi Hernandez e shndërroi në epërsinë 2:0 për spanjollët. Më herët në minutën e 14’ David Silva nguliti topin me kokë në rrjetën italiane për epërsinë fillestare. Italianët në vazhdim të ndeshjes tentuan të kthehen në lojë, duke e kërkuar golin e ngushtimit të avantazhit spanjoll, mirëpo ishte e kot pasi që spanjollët ishin në krye të detyrës, me një lojë të sigurt në të gjitha repartet e lojës.

Selektori italian Prandelli në pjesë lojën e dytë tentoi që me futjen në lojë të Di Natales të befasoj kundërshtarin, por kjo nuk ndodhi, edhe pse ky lojtarë pati dy raste ideale për gol. Goditje të fortë shpresave italiane për rikthim të rezultatit i dha dëmtimi i Thiago Mottas, i cili u detyrua të largohet nga fushë vetëm pas katër minutave që ishte aktivizuar në lojë, duke i lënë italianët me një lojtarë më pak në terren.

Spanja e vazhdoi dominimin e saj dhe më pas shënoi edhe dy herë për të vulosur fitoren e saj të madhe në Kiev. Kështu dy ndryshime të Del Bosque u treguan të qëlluara, pasi që Torres dhe Juan Mata, shënuan nga një herë për fitoren më bindëse ndonjëherë të arritur në finale të kampionateve botërore.

Me këtë gol Torres është bërë lojtari i parë që ka shënuar në dy finale të njëpasnjëshme.

Kthehu mbrapa

Shto koment