SIGAL PRISHTINA DËNON SULMIN NË NIKSHIQ

11.02.2015 (komentet: 0)


KB Sigal Prishtina ka dënuar sulmin që iu është bërë sonte në Nikshiq, në ndeshjen kundër Sutjeskës.

Përballja në mes Sutjeskës dhe Sigal Prishtinës, është ndërprerë në çerekun e parë, pasi tifozët vendas hodhën gjësende në fushë dhe bënë kore ofenduese për kosovarët.

KB Sigal Prishtina përmes një njoftimi, të lëshuar pak minuta më parë, ka shprehur keqardhje më atë që ndodhi në Nikshiq.

Ja komunikata e plotë e Sigal Prishtinës:

KB Sigal Prishtina shpreh keqardhje për ndërprerjen e ndeshjes në Nikshiq kundër KK Sutjeska në kuadër të Ligës Ballkanike.

KB Sigal Prishtina dënon sulmin që iu bë skuadrës sonë, i cili pamundësoi zhvillimin sportiv të ndeshjes, si dhe privoi pjesën e qytetëruar të publikut për ta përcjellur një ndeshje cilësore.

Klubi ynë ka misione fisnike sportive dhe ato janë në linjë të plotë me vizionin dhe misionin e Ligës Ballkanike. Qëllimet tona do të mbeten gjithmonë të mira, në dobi të përparimit të basketbollit e të sportit, por edhe të krijimit të miqësisë sportive me të gjitha klubet e ligës ballkanike. Rezultatet dhe sukseset sportive duhet të arrihen vetëm me punë cilësore dhe mjete sportive.

Ne falënderojmë krerët e ligës ballkanike dhe drejtuesit e KK Sutjeska për sjellje shembullore pas atij incidenti të shëmtuar.

KB Sigal Prishtina do të vazhdojë t'i respektojë edhe më shumë të gjitha klubet që vijnë në Prishtinë për t'u përballur me ekipin tonë.

KB Sigal Prishtina synon që të jetë klub model jo vetëm për sa i takon menaxhimit të performancës sportive, por edhe për sjelljen dhe edukatën sportive të të gjithë anëtarëve të klubit.

Të njëjtën gjë, mbase edhe më shumë, gjatë gjithë kësaj kohe sa jemi pjesëmarrës të ligës ballkanike, e kanë dëshmuar “Plisat” dhe simpatizantët e shumtë të klubit tonë.

Ne do të vazhdojmë të shfaqim lojëra të mira dhe sjellje sportive. Natyrisht që synojmë majat e suksesit, por vetëm me punë, përgjegjshmëri dhe sportivitet.

Puna dhe mikpritja janë disa nga vlerat tona të larta. Do t'i kultivojmë edhe më shumë këto vlera, sepse janë në dobi të sportit dhe të marrëdhënieve të mira ndërkulturore e ndëretnike.

Në eksesin e ndodhur në Nikshiq, pesë basketbollistë të Sigal Prishtinës, kanë marrë lëndim të lehta, ndërkaq, vendimi për ndeshjen e ndërprerë në mes Sutjeskës dhe Sigal Prishtinës do të merret pasnesër. 

Kthehu mbrapa

Shto koment