Shorti i LK: Bayern-Barca, Borussia-Real Madrid

12.04.2013 (komentet: 0)

Barcelona do të përballet me Bayern Munichun në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, derisa Real Madridi do të jetë edhe një herë përballë Borussia Dortmundit.

Dy gjigantët spanjollë, do të duhet të përballen me dy gjigantët gjermanë, pasi shorti i hedhur sot në zyrat qendrore të UEFA-së, në Nyon të Zvicrës, ka nxjerrë dy sfida gjermano-spanjolle. 

Kampioni i ri i Gjermanisë, Bayerni, do të përballet me kampionin e ri të pritshëm të Spanjës, Barcelonën. Bavarezët, të cilët vitin e kaluar eliminuan Realin pikërisht në këtë fazë të garës evropiane, do të jenë nikoqirë të ndeshjes së parë.

Ndërkohë, kampionët e vitit të kaluar të dy ligave, asaj spanjolle, Real Madrid, dhe gjermane, Borussia Dortmund, do të jenë protagonistë të gjysmëfinales tjetër, e cila po ashtu në takimin e parë do të zhvillohet në Gjermani, dhe atë të kthimit në Bernabeu.

Të mos harrojmë se dy skuadrat u përballën edhe më herët gjatë këtij sezoni në fazën e grupeve, kur Borussia fitoi 2-1 në fushë të vet dhe barazoi 2-2 në udhëtim.

Barcelona arriti në gjysmëfinale pas dy sfidave të vështira në rundet e mëparshme. Pasi fillimisht përmbysën disavantazhin ndaj Milanit në 1/8-tën e finales, Blaugranët me vështirësi eliminuan PSG-në, falë rregullit të më shumë golave në udhëtim.

Pasi me vështirësi eliminoi Manchester United në 1/8-tën e finales, Real Madridi nuk e pati të lehtë as në gjysmëfinale, pasi pavarësisht avantazhit të theksuar 3-0 në ndeshjen e parë, pati vështirësi në ndeshjen e kthimit ndaj Galatasarayt, ku u mposht 3-2 në udhëtim.

Borussia Dortmund, që eliminoi me lehtësi Shakhtarin në rundin e kaluar, arriti të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve falë dy golave vendimtarë të shënuar në çastet e fundit të takimit ndaj Malagas (3-2).

Ndërkohë Bayern Munichu, më të vështirë e pati në rundin e kaluar se në gjysmëfinale. Pasi i shpëtoi Arsenalit në 1/8-tën e finales, Bayerni ishte skuadra që u kualifikua në gjysmëfinale më me pak mund, pasi në të dyja ndeshjet çerekfinale mposhti Juventusin në të dyja me rezultat 2-0.

Finalja e sivjetme e Ligës së Kampionëve do të zhvillohet më 25 maj në Wembley të Londrës.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment