Shaqiri është një "Lionel Messi"

08.08.2012 (komentet: 0)

Munich, 7 gusht - Diçka e jashtëzakonshme për lojtarin e ri të Bayern Munchenit, Xherdan Shaqirin. Reprezentuesi i Zvicrës kishte guximin bavarez. Pothuajse të gjitha sulmet e Bayernit ishin të vendosura mbi supet e të voglit (169 centimetra). Shihej që ai kishte përgatitje të fortë.

 

Kështu ka shkruar të hënën gazeta prestigjioze gjermane, "Bild" për mesfushorin kosovar. 

Shaqiri 20-vjeçar ishte i përfshirë në golin e shënuar nga Bayern Muncheni përball Hamburgut (1:0) në ndeshjen për vend të tretë në kuadër të turneut "Liga Cup". Ai pasoi për francezin Franck Ribery që qëlloi shtyllën e më pas topi iu kthye Mitchell Weiserit. Ky i fundit shënoi nga afërsia në portën e zbrazët në minutën e 23-të, në ndeshjen e luajtur të dielën. Madje, Shaqiri u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes që mblodhi rreth 40 mijë shikues.

Trajneri i Bayern Munchenit, Jupp Heynckes, pas ndeshjes tha vetëm fjalë të mira për Shaqirin.

"Shaqiri është një talent i madh, një lojtar shumë inteligjent. Ai ka aftësi dhe mund të luaj në pozita të ndryshme", ka thënë Heynckes.

Mesfushori i lindur në Gjilan, gjatë kësaj vere u transferua te gjiganti gjerman Bayern Munchen. Ai Bayernit i ka kushtuar 12.5 milionë euro ndërsa është transferuar nga Baseli zviceran. Reprezentuesi i Zvicrës deri më tani ka shënuar gjashtë gola në ndeshje përgatitore të Bayernit. Por në ndeshjen e së dielës pati paraqitjen më të mirë.  

Lëvdata për Shaqirin pati edhe legjenda e futbollit të Gjermanisë, Lothar Mattheus. Ai e krahasoi me yllin argjentinas të Barcelonës, Lionel Messi.

"Ai është një nga Messit", ka thënë Mattheus.

Presioni mbi 20-vjeçarin nuk është i vogël pas deklaratave të tilla. Por, Shaqiri mbetet ende me këmbë në tokë. Ai thotë se do të mundohet të bëjë punën e tij që të arrijë suksese me Bayernin.

"Është kënaqësi kur dëgjon fjalë të mira. Por, unë së pari kam nevojë për t'u adaptuar në një klub të madh siç është Bayerni. Unë duhet të punojë për të arritur qëllimet që kam".  

Kthehu mbrapa

Shto koment