Sahiti merret vesh me Lepencin

13.02.2012 (komentet: 0)

Lepenci ka bërë zgjedhjen në bankinën e tij. Ndonëse të dy palët e konfirmojnë se janë shumë afër marrëveshjes, megjithatë mbetet që të dielën (sot) merret vendimi përfundimtar nëse Muharrem Sahiti e pranon ofertën e postit të kryetrajnerit të ekipi nga Kaçaniku.

 

“Është e vërtetë se kemi biseduar dhe jemi shumë afër marrëveshjes. Mirëpo, unë përveç kushteve të mia kam dëshirë që të njihem më shumë me kushtet e përgjithshme në këtë klub, kështu që kam kërkuar pak ditë të mendohem, por që drejtuesit e Lepencit janë kategorikë që unë të pranoj ofertën e tyre menjëherë. Çdo gjë do të merret vesh sot, kur do t’i përmbyllim bisedimet”, thotë ish-trajneri i Gjilanit, Muharrem Sahiti, i cili e pranon se ka njohuri të madhe për futbollistët e Lepencit.

“Edhe në edicionin e vitit të kaluar kur isha te Gjilani kemi luajtur në Ligën e parë së bashku me Lepencin dhe mund të them se 80 për qind e njoh këtë skuadër. Bëhet fjalë për disa futbollistë mjaft cilësorë, por ndër arsyet kryesore nëse e pranoj postin janë tifozët e flaktë të Lepencit, të cilët më joshin dhe e ndiej veten mjaft mirë në atmosferë të tillë”, shprehet Sahiti, i cili me gjasë deri në fund të këtij edicioni do t’i prijë skuadrës kaçanikase, e cila sezonin e shkuar ka arritur suksese historikë, duke u bërë pjesë e Superligës së Kosovës.

/Zeri/

Kthehu mbrapa

Shto koment