Rukavina: Do ta mposhtim Shqipërinë në Beograd

24.02.2014 (komentet: 0)

Reprezentuesi serb, Antonio Rukavina, ka deklaruar në një intervistë për Telegrafin se përfaqësuesja e Serbisë llogaritë në fitore në dy ndeshjet e para ndaj Armenisë dhe Shqipërisë, teksa e cilësoi si të vështirë takimin kthyes në Tiranë.

Rukavina ka folur për Telegrafin rreth grupit në të cilin luan Serbia dhe Shqipëria për Euro 2016. Kualifikimet sipas Rukavinës do të jenë të vështira, teksa nuk e cilëson si ekip shumë të rrezikshëm Portugalinë. I pyetur nga Telegrafi se nëse Grupi I është i vdekjes, Rukavina u pajtua me këtë konstatim.

“E vërtetë, Grupi I është grupi i vdekjes. Është Armenia, një kombëtare e dëshmuar së fundmi, Danimarka, një ekip me futboll të mirë, e po ashtu edhe Portugalia, që e ka në lojë futbollistin më të mirë në botë. Megjithatë, nuk e konsideroj Porgualinë kundërshtar sikur Spanjën, Gjermaninë apo Holandën. Ata zakonisht kualifikohen me play-off dhe prandaj them se nuk janë të pamposhtshëm”, u shpreh Rukavina për Telegrafin.

Dy duelet ndaj Shqipërisë që Serbia do t’i zhvillojë, e para e cila luhet në Serbi më 14 tetor të këtij viti, ka zgjuar kurreshtjen dhe entuziazmin e adhuruesve të futbollit, si sfidë më shumë se sportive. Mbrojtsi serb thotë se ky fakt është i pashmangshëm, por se duhet të merret shembull në ndeshjet e kaluara ndaj Kroacisë.

“Faktori politik dhe rivaliteti historik mes dy shteteve do të jetë i pashmangshëm edhe në fushën e lojës, jo vetëm në taboret e tifozëve. Është më shumë se sa një ndeshje futbolli. Por, dua të marr shembull dy ndeshjet ndaj Kroacisë. Është e vërtetë, kemi ndjerë emocion, nuk ishte sfidë normale për shkak të historisë, kemi ndjerë emocion në trupin e këmbët tona, por në fund ishte ndeshje e futbollit. Ishte i mrekullueshëm organizimi dhe gjithçka. Kështu duhet të jetë edhe në ndeshjet ndaj Shqipërisë, që besoj se do të organizohen për mrekulli dhe se incidentet e mundshme do të shmangen”.

“I bëj thirrje të gjithëve që ta marrin si manifest sportiv, pasi ky është futbolli, nuk është ndeshje politike, nuk është luftë, është sport. Të kënaqemi kur të vijë koha t’i zhvillojmë ndeshjet”, theksoi reprezentuesi serb.

I pyetur nëse ai është i bindur se ekipi i tij mund ta mposhtë Shqipërinë, Rukavina nuk e tha në mënyrë të drejtpërdrejt këtë, megjithëse pret që gjashtë pikë nga dy ndeshjet e para, e një prej këtyre ndeshjeve është ndaj Shqipërisë.

“Nuk mund të them se do ta mposhtim sigurtë Shqipërinë. Kështu kemi thënë edhe për Maqedoninë, kur dihet se kemi shumë më kualitet se Maqedonia, por kemi humbur me rezultat 1-0 në Shkup”.

“Mendoj se kemi pasur pak fat për radhët e ndeshjeve që do t’i luajmë. Ndeshjen e parë shkojmë në Armeni, kurse të dytën e luajmë në shtëpi ndaj Shqipërisë. Ne duhet t’i nxjerrim gjashtë pikë nga këto dy ndeshje, në mënyrë që kualifikimi të jetë më pas më i lehtë. Shqipëria ka kalendar më problematik, por në çdo rast do të jetë vështirë. Shumë e vështirë do të jetë, sidomos në Tiranë. E paramendoj se çfarë mund të na presë kur të shkojmë në Shqipëri”, tha ai.

Rukavina luan përkrah Valdet Ramës te skuadra e Valladolidit që bën pjesë në La Liga. Ndeshjen e ardhshme Valladolidi e zhvillon ndaj Malagas, kurse pas Malagas Valladolidi përballet me Barcelonën. Rukavina thotë se ndeshja ndaj Malagas është më e rëndësishmja e sezonit.

“Së pari e kemi ndeshjen ndaj Malagas. Ajo do të jetë një finale e vërtetë. Është ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Nëse fitojmë i shmangemi zonës së rrezikshmërisë dhe zonës së Segunda Divizionit. Ne duhet ta mposhtim Malagan, pasi do të jetë shumë e vështirë ndaj Barcës. Ndaj Barcelons ju duhet 90 për qind fat, fjalët tjera për atë ekip janë të tepërta. Ne vërtet po punojmë që të mbijetojmë”, përfundoi Rukavina.

Shqipëria bën pjesë në Grupin I të kualifikimeve për Euro 2016, bashkë me Danimarkën, Armeninë, Serbinë dhe Portugalinë. 

Pergaditi : Engjell Smerqaku

Kthehu mbrapa

Shto koment