Rrëshqet Bayerni, Dortmundi në finale

28.04.2015 (komentet: 0)

Borussia Dortmundi është kualifikuar në finale të DFB Pokal pas eliminimit të Bayern Munichut. Fituesi u vendos pas penaltive, pasi rezultati edhe pas vazhdimeve ishte 1-1.

Në ndeshjen e zhvilluar në Allianz Arena, ekipi nikoqir ishte në kontroll të lojës në 45 minutat e para, gjatë të cilave arriti që ta fusë topin një herë në rrjet. Ishte pikërisht ish-sulmuesi i BVB, Robert Lewandowski, njeriu që e zhbllokoi rezultatin (30’).

Bavarezët ishin më kërkues edhe në gjysmën e dytë. Lewandowski goditi shtyllën, ndërsa Schmelzer e ndali me dorë një aksion të Muller në zonë. Arbitri nuk akordoi asgjë.

Megjithatë, ekipi i Klopp ia doli ta barazojë rezultatin. Pierre-Emerick Aubameyang shënoi pas harkimit të Mkhitaryan (75’). Neuer u mundua ta nxirrte, por topi kishte kaluar vijën fatale.

Pas golit të barazimit, Dortmundi rrezikoi dy herë, megjithatë loja shkoi në vazhdime.

Ekipi i Guardiolas luajti më mirë në vazhdime dhe pati shumë raste shënimi, sidomos pas përjashtimit të Kevin Kampl me kartonin e dytë të verdhë, megjithatë fituesin e vendosën penaltitë.

Pas ekzekutimit të penaltive, më të saktë ishin lojtarët e Borussia Dortmundit, derisa asnjë lojtar i Bayern Munichut nuk shënoi nga penaltia.

Në finale, Borussia Dortmundi pret fituesin e gjysmëfinales tjetër, ndërmjet Arminia Bielefeld dhe Wolfsburg.

Nga ana tjetër, Bayerni tashmë është shpallur kampion i Bundesligas dhe do ta kërkojë edhe titullin e Ligës së Kampionëve, ku luan në gjysmëfinale (kundër Barcelonës). /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment