Ronaldo është mbret i botës, sërish

12.01.2015 (komentet: 0)

Cristiano Ronaldo është shpallur futbollisti më i mirë për vitin 2014 duke fituar kështu çmimin prestigjioz ‘FIFA Topi i Artë’.

Superylli i Real Madridit ishte favoriti kryesor për t’u shpallur më i miri në botë, falë paraqitjeve mbresëlënëse me Los Blancos në vitin që lamë pas dhe ashtu ndodhi – ai u shpall më i miri.

Makineria golashënuese i ndihmoi Realit që të triumfonte në Kupën e Mbretit, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube.

 

Ai theu shumë rekorde në vitin 2014, të cilin e kurorëzon me çmimin më të madh individual që i jepet një lojtari.

Konkurrentë të Ronaldos (37.66 % të votave) këtë vit ishin portieri gjerman i Bayern Munichut, Manuel Neuer (15.72 %)dhe superylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi (15.76 %).

Është hera e tretë në karrierë që CR7 shpallet më i miri në botë dhe e dyta radhazi, ai tash është vetëm një trofe prapa Leo Messit.

“Dua të falënderoj presidentin e klubit tim, bashkëlojtarët e mi dhe të gjithë që më kanë ndihmuar të arrij këtu. Siç kam thënë gjithmonë, unë dua gjithmonë të përmirësohem dhe te bëhem më i mirë për çdo ditë që kalon”.

“Dua t’u them të gjithë portugezëve, se nuk kam menduar që do ta fitoj këtë trofe tri herë. Unë dua të bëhem një prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave. Shpresoj që të hyj në mesin e tyre”, ka deklaruar 29-vjeçari. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment