Real Madridi ofron 96 milion euro për Suarez

13.03.2014 (komentet: 0)

Madrid, 13 mars - Reali i Madridit sërish në merkato për një emër me peshë. Shoqëria “Merengues” kërkon të bëjë sërish “shopping” në Angli ku një prej emrave të Premier League po josh prej vitesh shoqërinë spanjolle.

Bëhet fjalë për sulmuesin e Liverpoolit, Luis Suarez, i cili vazhdon të kryesojë listën e Florentino Perez, edhe pse pak muaj më parë uruguajani rinovoi kontratën me “The Reds” duke u shprehur se dëshiron të luajë për një kohë të gjatë në “Anfield Road”.

Por sipas zërave që vijnë nga ishulli, Reali i Madridit nuk heq dorë lehtë duke formuluar një ofertë që vështirë se mund të refuzohet nga drejtuesit e Liverpoolit.

Plot 96 milionë Euro kërkon të propozojë Perez, një shifër që vështirë se mund ta detyrojë Liverpoolin të thotë “Jo”.

“El Mundo Deportivo” shkruan se Reali i Madridit mund ta mbyllë këtë operacion përpara Kupës së Botës 2014, pasi vlera e kartonit të lojtarit mund të rritet edhe më shumë nëse ai paraqitet mirë me kombëtaren e vendit të tij.

Nëse Suarez transferohet për një shumë të tillë në “Bernabeu”, atëherë ai mund të bëhet edhe një nga lojtarët më të shtrenjtë të Realit të Madridit edhe pse nuk është ende e qartë shuma zyrtare e transferimit të Bale, i cili u ble nga skuadra spanjolle për një shifër nga 92 deri në 100 milionë Euro gjatë merkatos së kësaj vere.

/E.Smerqaku/

Kthehu mbrapa

Shto koment