Rafa Benitez kërkon vendin e dytë

06.03.2014 (komentet: 0)

Tre ditë nga supersfida kundër Romës, Rafael Benitez karikon Napolin pasi spanjolli nuk kënaqet me vendin e tretë në klasifikim.

“Titulli? Nuk mund të gënjej, tashmë na ka ikur nga duart mundësia. Objektivi jonë mbetet vendi i dytë. Nëse e arrijmë mund të them se do të kemi fituar Oscar-in tonë, prandaj në këtë aspekt, fitorja me Romën është shumë e rëndësishme.

Në vijim të intervistës, trajneri iberik zbulon projektet për të ardhmen e tij.

“Duhet të jemi gati për sezonin e ri. Skuadra duhet të ketë në dispozicion njerëzit e duhur për të shënjestruar objektivat, duke pasur mentalitetin e duhur. Unë kam si objektiv ndërtimin e një strukture bazë që të jetojë për shumë kohë. Kur punoj për një skuadër mendoj përherë se do të qëndroj aty për 10 vjet sepse ka një projekt dhe unë nuk jam një trajner që largohem pasi fitoj diçka. Napoli nuk duhet të fitojë një titull çdo 25 vjet”

Në fund, Rafa Benitez nënvizon faktin se skuadra është rritur gjatë muajve të fundit, pavarësisht disa rezultateve jo shumë të pranueshme në ambientin e kaltër.

“Nëse edhe vitin e ardhshëm do të jemi në këtë situatë, atëherë do të ketë shumë vend për t’u shqetësuar por ky është një proces normal rritjeje”.

/E.Smerqaku

Kthehu mbrapa

Shto koment